Bekim Jashari për gjykimin në Hagë: Të gjitha këto akuza janë vazhdimësi e gjithë propagandës serbe – kjo gjykatë nuk mund të dënojë askënd në emër të këtij popull

Përfaqësuesi i familjes legjendare Jashari, Bekim Jashari ka dal me një reagim në lidhje me gjykimin që po bëhet në Hagë, ku tash kanë filluar fjalët përfundimtare nga të gjitha palët. Jashari në postimin e tij kritikoi Gjykatën Speciale dhe tha se të gjitha akuzat që po i bëhen ish-krerëve të UÇK-së janë vazhdimësi e…

Lajme

10/02/2026 19:28

Përfaqësuesi i familjes legjendare Jashari, Bekim Jashari ka dal me një reagim në lidhje me gjykimin që po bëhet në Hagë, ku tash kanë filluar fjalët përfundimtare nga të gjitha palët.

Jashari në postimin e tij kritikoi Gjykatën Speciale dhe tha se të gjitha akuzat që po i bëhen ish-krerëve të UÇK-së janë vazhdimësi e propagandës serbe, transmeton lajmi.net.

“Drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që viktima të barazohet me agresorin. Andaj kjo gjykatë nuk mund të dënojë askënd në emër të këtij populli, sepse ky popull e krijoi UÇK-në, UÇK-ja është vetë populli”, tha ai ndër të tjera.

Postimi i plotë:

Me shqetësim të madh po ndjek pretendimet e rrezikshme të Prokurorisë së Gjykatës Speciale rreth luftës sonë çlirimtare.
Të gjitha këto akuza janë vazhdimësi e gjithë propagandës serbe, e cila fatkeqësisht ka arritur të depërtojë me lehtësi edhe në këtë gjykatë.
Vendimet e kësaj gjykate duhet të jenë të mbështetura në fakte, e faktet dhe argumentet janë në anën e popullit që kërkoi liri dhe krijoi UÇK-në, e cila fitoi mbështetjen ndërkombëtare të miqve tanë dhe, bashkë me NATO-n, sollën lirinë tonë.
Për këtë luftë të drejtë, që respektoi ligjet ndërkombëtare të luftës, dëshmoi edhe bota demokratike me fakte se UÇK-ja është e pastër si loti dhe aleati kryesor i NATO-s për të instaluar paqen në Ballkan. Kjo është prova se Kosova nuk ishte agresori.
Në Kosovë kishte vetëm një palë që kishte bërë krime, madje makabre, ajo është Serbia, kriminelët e së cilës shëtisin të lirë, ani pse kanë vrarë më shumë se 10.000 shqiptarë, mbi 100 masakra janë kryer ndaj civilëve, përfshirë fëmijë dhe pleq, rreth 1 milion njerëz janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, mbi 20.000 gra e vajza kanë përjetuar dhunë seksuale, vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse nuk duronin më të jetonin në robëri.
Drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që viktima të barazohet me agresorin.
Andaj kjo gjykatë nuk mund të dënojë askënd në emër të këtij populli, sepse ky popull e krijoi UÇK-në, UÇK-ja është vetë populli ./lajmi.net/