Bëhet apel për kujdes në trafik pas reshjeve të borës
Autoritetet në Kosovë kanë bërë thirrje për kujdes në trafik, pas rënies së temperaturave dhe rreshjeve të borës. Mbrëmjen e së mërkurës, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), paralajmëroi rënie të temperaturave, që tha se pritet të shkaktojnë ngrica nëpër rrugët e Kosovës. Policia e Kosovës u bëri apel qytetarëve që të kenë kujdes në trafik.…
Lajme
Autoritetet në Kosovë kanë bërë thirrje për kujdes në trafik, pas rënies së temperaturave dhe rreshjeve të borës.
Mbrëmjen e së mërkurës, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), paralajmëroi rënie të temperaturave, që tha se pritet të shkaktojnë ngrica nëpër rrugët e Kosovës.
Policia e Kosovës u bëri apel qytetarëve që të kenë kujdes në trafik. Ky institucion apeloi shoferët që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen në rrugë, të mbajnë distancën me automjete të tjera, për shkak të mundësisë së ngricave.
“Siguria juaj është prioritet. Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës”, tha Policia përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Rënia e temperaturave vjen pas vërshimeve shkatërruese në disa pjesë të Kosovës.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i luti qytetarët ta shmangin udhëtimin me automjete në orët në vijimin për shkak të ngricave të mundshme nëpër rrugë.
Në një njoftim në Facebook, IHMK tha në orët në vijim pritet të bjerë borë dhe era do të fryjë në drejtim të veriut dhe veriperëndimit, e shoqëruar nga një rënie e madhe e temperaturave në të gjithë Kosovën.
“Temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit. Kjo do të krijojë kushte të favorshme për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë”, tha Instituti.
Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor, paralajmëroi IHMK.
Ndërkohë, Kurti tha se “sonte është natë kritike sa i përket qarkullimit në rrugët e Kosovës”.
“Kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë”, tha Kurti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve “që sonte të mos lëvizin nëse nuk e kanë të domosdoshme. E nëse megjithatë duhet të qarkullojnë gjatë natës së sonte, atëherë patjetër të bëjnë vozitje të kujdesshme duke ju përshtatur kushteve atmosferike”.
Këto paralajmërime vijnë një ditë pasi vendi u përball me vërshime të mëdha, të cilat detyruan gjithashtu autoritetet ta shtyjnë për 12 janar rifillimin e mësimit pas pushimit dimëror, i cili duhej të riniste të enjten.
Reshjet e mëdha në ditët e fundit sollën përmbytje duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, evakuime, telashe me ujin e pijes, si dhe bllokim rrugësh të martën.
Moti i lig nuk ka shkaktuar viktima apo të lënduar, thanë autoritetet të mërkurën.