BE planifikon bllokimin e rritjes së numrit të xhihadistëve

Një plan veprimi për identifikimin e të rinjve evropianë që janë nisur të luftojnë në Siri dhe për t’i penguar të kryejnë vrasje, u miratua sot në Milano, njoftoi koordinatori evropian për luftën kundër terrorizmit, Gilles de Kerchove.

Bota

08/07/2014 22:53

Një sërë masash u miratuan gjatë një takimi pune mes ministrave të brendshëm të nëntë vendeve të BE-së – Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Spanjës, Italisë, Danimarkës, Suedisë dhe Holandës kushtuar këtij kërcënimi, njofton shqiptarja.com.

“Këto masa janë konfidenciale”, nënvizoi Gilles de Kerchove. Sipas tij, ato do t’iu paraqiten vendeve tjera të BE-së në takimin e ardhshëm zyrtar të ministrave të mbrojtjes, në muajin tetor.

“Zhvillimet e fundit në Irak rrisin nevojën për të reaguar menjëherë”, sipas koordinatorit.

“Shpallja e një kalifati nga xhihadistët e Shtetit Islamik ISIL mund të ketë një efekt tërheqës për disa të rinj myslimanë evropianë”, theksoi ai.