BE-ja përgatit sanksione edhe për 25 rusë

Bashkimi Evropian është duke i diskutuar propozimet për një listë të zgjeruar të sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të përfshirjes së saj në Ukrainën lindore.

Bota

04/02/2015 20:17

Diplomatët në Bruksel i thanë sot Radios Evropa e Lirë se ambasadorët janë në prag të arritjes së një marrëveshje për sanksionimin edhe të 25 individëve.

Zyrtarë të lartë rusë nuk pritet të përfshihen në këtë listë të re.

Lista e zgjeruar pritet të miratohet nga ministrat e jashtëm të BE-së, më 9 shkurt.

Në Washington, një zyrtar i lartë ka thënë se zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden do të takohet në Evropë me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko.

Ata do të diskutojnë më vonë gjatë kësaj jave në lidhje me zgjerimin e sanksioneve dhe për ndihmën amerikane ndaj Ukrainës.

Biden do ta vizitojë Brukselin gjatë ditës së nesërme, ndërsa në Munich të Gjermanisë, do të qëndrojë gjatë së premtes.