BE dhe Gjermania kundër ndryshimeve në Ligjin për Specialen: Pavarësia e saj duhet të respektohet plotësisht

Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me ndryshimet që Kuvendi i Kosovës miratoi në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke kërkuar që të respektohet pavarësia dhe mandati i kësaj gjykate. Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë i ka thënë të mërkurën Radios Evropa e…

Lajme

07/10/2026 23:12

Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me ndryshimet që Kuvendi i Kosovës miratoi në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke kërkuar që të respektohet pavarësia dhe mandati i kësaj gjykate.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë i ka thënë të mërkurën Radios Evropa e Lirë se është “thellësisht e shqetësuar” për ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, transmeton lajmi.net.

Zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë, Catalina Heine, ka deklaruar se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, dhe se pavarësia e tyre duhet të respektohet.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështetën në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Për të përmbushur këtë synim, pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.

Gjermania ka bërë të ditur gjithashtu se mbështet qëndrimin e Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimet ligjore.

Edhe BE-ja ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si shqetësuese. Zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, ka thënë se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka deklaruar Wiegand për REL-in.

Sipas ndryshimeve të miratuara nga Kuvendi, juridiksioni i Dhomave të Specializuara ngushtohet në aspektin e veprave, kohës dhe territorit. Ndryshimet parashohin gjithashtu kufizimin e dënimit në 15 vjet, si dhe mundësinë e transferimit të rasteve apo dënimeve në Kosovë.

Ndryshimet u miratuan në lexim të dytë në orët e vona të 6 tetorit, para votimit për presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pulën. Nisma për ndryshimin e ligjit ishte iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka kundërshtuar vlerësimin e BE-së se Kosova po shkel detyrimet ndërkombëtare. Ai ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj dhe se Gjykata Speciale nuk do të mbyllet.

“Kosova u rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafikim të organeve. Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkelet”, ka thënë Gruda.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë shqyrtimit të parë të projektligjit më 5 tetor, kishte deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje i konsideronte ndryshimet të nxituara, por se do t’i mbështeste ato.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë thënë se nuk duan të komentojnë drejtpërdrejt ndryshimet ligjore, duke theksuar se janë të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre.

“Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, kanë deklaruar ato për REL-in.

Ndryshimet pas vendimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Ndryshimet në ligj vijnë pas vendimit të Dhomave të Specializuara më 16 shtator, kur katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Të katër të dënuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar ankesa në Apel.

Baza juridike për themelimin e Dhomave të Specializuara është këmbimi i letrave i vitit 2014 ndërmjet presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Në kuadër të këtyre zotimeve, Kosova ishte angazhuar që të konsultohej me BE-në për çdo nismë që do të mund të ndikonte në mandatin e Dhomave të Specializuara apo në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese.

Po ashtu, Kosova ishte zotuar për vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Dhomat e Specializuara kanë selinë në Hagë dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët janë të huaj. Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me rreth 400 milionë euro të ofruara që nga themelimi.

Në anën tjetër, BE-ja ka përshëndetur zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës presidente të Kosovës dhe daljen nga bllokada institucionale që kishte zgjatur që nga viti 2025. Brukseli ka deklaruar se pret rikthimin e stabilitetit institucional dhe përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Megjithatë, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, BE-ja ka bërë të qartë se pret nga institucionet e Kosovës respektimin e detyrimeve ndërkombëtare dhe pavarësisë së gjykatës./lajmi.net/