BE: Çdo sukses apo dështim në dialog është rezultat i aftësisë ose paaftësisë së palëve- Asociacioni po bëhet kërkesë urgjente çdo ditë
Nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar se Kosova ka një obligim të qartë sipas ligjit ndërkombëtarë, atë të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Kjo është thënë edhe një herë nga zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano. Stano në një përgjigje për lajmi.net theksoi se BE-ja i…
Lajme
Nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar se Kosova ka një obligim të qartë sipas ligjit ndërkombëtarë, atë të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Kjo është thënë edhe një herë nga zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano.
Stano në një përgjigje për lajmi.net theksoi se BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës në mënyrë të përsëritur që urgjentisht ta përmbushë këtë detyrim dhe se sipas tij kjo kërkesë po bëhet më urgjente çdo ditë që kalon.
“Kosova ka një obligim të qartë sipas ligjit ndërkombëtar për të themeluar ASM-në. BE-ja i bëri thirrje Kosovës në mënyrë të përsëritur (në një numër konkluzionesh të Këshillit) që urgjentisht ta përmbushë këtë detyrim pa vonesa të mëtejshme. Kjo kërkesë mbetet dhe po bëhet më urgjente çdo ditë që kalon”,deklaroi ai.
Por pavarësisht kësaj kërkese, nga Qeveria e Kosovës vazhdimisht janë shprehur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të formohet ashtu siç edhe ishte kërkuar.
E problematik tjetër në mes institucioneve të vendit dhe atyre të BE-së janë masat e vendosura që nga viti 2023.
E nga Bashkimi Evropian ende s’ka një përgjigje të saktësuar se kur do të mund të hiqen këto masa.
Edhe pse ato ishin paraparë si të përkohshme, të njëjtat vazhdojnë të jenë aktive. BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Këto masa u vendosën pasi Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndërmarrë disa veprime në veri, që janë kritikuar nga faktori ndërkombëtar. Ekzekutivi kosovar ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mbyllur disa degë të postës serbe, si dhe institucione paralele dhe ka shprehur synimin që të hapë për qarkullim të trafikut urën mbi lumin Ibër, për çfarë është kritikuar se rrezikon trazira dhe destabilitet.
E një çështje e tillë vazhdon të mbetet nën “shpresën” e Kosovës se do të ketë lajme pozitive nga anëtarët e Këshillit të BE-së, për largimin e tyre.
Kësisoj është shprehur edhe zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano.
Sipas Stanos, diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë në mes shteteve anëtare në Këshill.
“Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”.
E nga BE-ja po ashtu është ripërsëritur porosia që të gjitha marrëveshjet e dialogut duhet të zbatohen plotësisht sa më shpejt që të jetë e mundur. E në kuadër të kërkesave për hapjen e urës së Ibrit për qarkullim të këmbësorëve, nga BE-ja thonë se punimet teknike kanë përfunduar, por se marrëveshjet e arritura më herët duhet zbatuar nga të dyja anët, si nga Kosova dhe nga Serbia.
“Punimet për rivitalizimin e urës kryesore dhe rrethinës së saj në Mitrovicë kanë përfunduar teknikisht. BE-ja po punon si me Beogradin ashtu edhe me Prishtinën. Të gjitha marrëveshjet e dialogut, duke përfshirë edhe atë për urën kryesore, duhet të zbatohen plotësisht sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Stano.
Stano po ashtu ka komentuar edhe deklarimin e zv/kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi që në disa rate i ka quajtur takimet në Bruksel si të “dështuara”.
Sipas zyrtarit të BE-së, çdo sukses ose dështim në kuadër të dialogut- është rezultat i drejtpërdrejtë i aftësisë ose paaftësisë së dy palëve për të rëndë dakord ose për të arritur kompromis.
“BE-ja është lehtësuesi i Dialogut dhe i ndihmon palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Çdo sukses – ose dështim – është rezultat i drejtpërdrejtë i aftësisë ose paaftësisë së Palëve për të rënë dakord ose për të arritur një kompromis. Së fundmi, takimet janë mbajtur në format dypalësh dhe trepalësh në një atmosferë të përgjithshme konstruktive”,shtoi ai.
E një problem mjaftë i “ashpër” për shqiptarët e Luginës së Preshevës është pasivizimi i adresave të tyre.
Tash e disa vite, shqiptarëve po u fshihen të gjitha adresat në Serbi, e kësisoj ata po bëhen “jo-ekzistentë” në këtë shtet.
E sipas Stanos, BE-ja ka marrë parasysh shqetësimet për pasivizimin e adresave të komunitetit shqiptar në Serbinë jugore.
Ai tha se po e ndjekin situatën në dritën e angazhimeve të marra nga Serbia në kuadër të negociatave të anëtarësimit, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare.
“Siç është vënë në dukje në raportin tonë të vitit 2024 për Serbinë, ka nevojë që autoritetet t’i shpjegojnë më mirë publikut se si po kryhen kontrollet e statusit të rezidencës duke rezultuar në ‘pasivizimin’ e adresave të caktuara dhe nëse Serbia e Jugut është në shënjestër të veçantë”, tha tutje ai.
E në fund Peter Stano pati edhe një koment në lidhje me zgjedhjet nacionale që të do të zhvillohen më 9 shkurt në gjithë territorin e Kosovës.
Stano duke mos dashur të futet brenda politikës kosovare dhe zhvillimeve të brendshme deklaroi se në përgjithësi, zgjedhjet e lira janë në thelb të vlerave evropiane.
“Meqenëse mandati i ri i Komisionit do të fillojë më 1 dhjetor, ju ftoj të kontaktoni zëdhënësin e ri për të folur për të ardhmen. Në përgjithësi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë në thelb të vlerave evropiane”, theksoi ai./Lajmi.net/