BDI e dëshpëruar me dështimin e negociatave të Brukselit
Këshilli i Përgjithshëm i partisë shqiptare në Maqedoni BDI, është mbledhur sot për të vlerësuar dhe diskutuar më gjerësisht mbi zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, pas dështimit për një marrëveshje mes partive politike në bisedimet e mbajtura në Bruksel, ku morrin pjesë të gjitha partitë politike, ato qeverisëse dhe ato opozitare.

Lajme
Menjëherë pasi dëgjuan raportin e Kryetarit të partisë Ali Ahmeti, vendosën për një takim nga i cili shprehën dëshpërimin për dështimin e bisedimeve në Bruksel.
“Pas informimit gjithëpërfshirës nga ana e Kryetarit Ali Ahmeti, Kryesia e BDI-së shpreh dëshpërimin për dështimin e bisedimeve dhe mosrespektimin e marrëveshjes së nënshkruar në mes liderëve të katër partive politike kryesore në vend”, thuhet në një komunikatë për media.
Por, edhe përkundër dështimit të këtyre bisedimeve, ata konsiderojnë se marrëveshja e arritur më 2 qershor të këtij viti me përkujdesjen e partnerëve ndërkombëtar, duhet të mbetet bazë e mirë për tejkalimin e krizës, dhe për këtë ftojnë të gjitha partitë politike në vend që të reflektojnë më seriozisht, në mënyrë për të tejkaluar krizën politike, transmeton lajmi.net
“Prandaj i ftojmë liderët e partive politike në vend që të reflektojnë seriozisht mbi mundësinë për të gjetur një zgjidhje në kuadër të kornizës së arritur me 2 qershor 2015 duke tejkaluar interesat e ngushta partiake dhe duke vendosur interesat e qytetarëve dhe të vendit në rend të parë”, thuhet në komunikatë nga partia e Ali Ahmetit.
Gjithashtu partia shqiptare BDI, ka kërkuar edhe vazhdimin e angazhimit dhe përkrahjes së organeve ndërkombëtare për tejkalimin e krizës, dhe arritjes së një marrëveshjeje afatgjate.
“Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm gjithashtu shqyrtoi edhe pozicionin e BDI-së përkundrejt zhvillimeve të fundit dhe vendosi që këtë çështje ta shtrojë para Këshillit të përgjithshëm si organ më i lartë i partisë për të vendosur duke i lënë të hapura gjitha opsionet për pozicionin e BDI-së në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e BDI-së. (lajmi.net)