Baton Haxhiu pas alarmit të rremë në Kuvend: Faji nuk është më i tyre, por i yni, që heshtim dhe i lejojmë të tallen me ne

Gazetari i njohur Baton Haxhiu ka reaguar ashpër pas alarmit të rremë për bombë që çoi në evakuimin e Kuvendit të Kosovës, pikërisht në ditën kur pritej seanca për konstituimin e tij. Përmes një opinioni të publikuar sot, Haxhiu e ka cilësuar këtë situatë si shembullin më të qartë të shpërbërjes së shtetit dhe zhveshjes…

Lajme

05/07/2025 16:50

Gazetari i njohur Baton Haxhiu ka reaguar ashpër pas alarmit të rremë për bombë që çoi në evakuimin e Kuvendit të Kosovës, pikërisht në ditën kur pritej seanca për konstituimin e tij.

Përmes një opinioni të publikuar sot, Haxhiu e ka cilësuar këtë situatë si shembullin më të qartë të shpërbërjes së shtetit dhe zhveshjes totale të klasës politike nga çdo përgjegjësi institucionale, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, kjo nuk është më thjesht një krizë politike, por një “teatër pa skenar”, ku pushteti është bërë vetë autor i frikës dhe talljes me qytetarët. Ai shpreh bindjen se nëse ky alarm ka qenë i inskenuar nga vetë brenda sistemit, atëherë kemi të bëjmë me një “vetëakuzë për shkatërrim të demokracisë”.

“E vetmja bombë që ka mbetur në këtë vend është dështimi i shtetit për të bërë shtet. Dhe ajo bombë nuk bie me zë. Ajo gërryen heshtur çdo ditë shtetin e Kosovës”, shkruan Haxhiu, duke e quajtur këtë situatë si “shpërbërje etike dhe shtetërore që po ndodh live”.

Ai përfundon duke thënë se e vetmja gjë që duhet të shpërthejë është durimi i qytetarëve, pasi turpi është inskenuar dhe frika nga vota po tejkalon çdo normë demokratike.

Opinioni i plotë:

Nuk ishte bombë. Ishte një pasqyrë që ua tregoi fytyrat atyre që s’kanë më fytyrë. Kur një vend qeveriset përmes SMS-ve anonime dhe jo përmes votës, atëherë faji nuk është më i tyre, por i yni, që heshtim dhe i lejojmë të tallen me ne.

Po, kjo situatë është nga ato që nuk lënë më as vend për indinjatë. E kanë bërë aq të përditshme banalitetin e krizës, saqë edhe një alarm për bombë, që dikur do ta kishte tronditur qytetarin, sot është veç një episod tjetër grotesk në një skenë politike që nuk e dallon më realitetin nga parodia. Sepse pushteti po inskenon.

Kur pas 42 tentativave për të konstituar një kuvend, popullit i servohet një “alarm për bombë”, dhe kur ky alarm vjen pikërisht në momentin kur duhet të vazhdojë tallja me qytetarët, atëherë kemi kaluar përtej absurdit. Kemi hyrë në një fazë ku edhe rrena nuk është më për të mashtruar, por për të fyer dhe sharë inteligjencën e një shoqërie.

Tallja shkon me tallje. Është një zingjir vetëshkatërrues i pandërprerë, ku aktorët politikë nuk e dallojnë më turpin nga taktika. Në fakt, duket se e vetmja gjë që funksionon me rregull në Kosovë sot është mosfunksionimi.

Dhe kur ky mosfunksionim prodhon edhe skenare telefonatash anonime në anglisht nga “shtete jomike”, pa asnjë provë, pa asnjë logjikë, pa asnjë pikë besueshmërie, atëherë kuptojmë se shteti është kthyer në një teatër pa skenar, ku edhe policia dhe prokuroria bëhen pjesë e një loje që nuk di më kë po mbrojnë dhe nga kush.

Në këtë moment, pyetja nuk është më çka po ndodh?, por pse askujt nuk i bie më ndër mend të turpërohet nga kjo që po ndodh.

Nëse janë vetë aktorët e sistemit që e kanë ngritur telefonin dhe kanë inskenuar këtë “alarm” për të krijuar përshtypjen e rrezikut dhe për të vonuar procesin, është një vetëakuzë për shkatërrim të sistemit demokratik. Nëse e ka bërë ndonjë individ jashtë sistemit, atëherë është një pasqyrë e çmendurisë që e ka mbërthyer këtë vend. Por në të dyja rastet, turpi është i njëjtë, siç e kanë thënë edhe deputetët që u larguan pa ditur pse, për çka dhe për kë.

Ky nuk është më as teatër. Është një shpërbërje etike dhe shtetërore që po bëhet live. Dhe populli, që pritej të shihte një votim, përfundoi duke parë forcat speciale në një ndërtesë të zbrazur, duke kërkuar një bombë që ekziston vetëm në kokat e atyre që e kanë minuar për muaj të tërë sistemin nga brenda.

“Nuk kam fjalë”, është fjalia më e sinqertë që mund të thuhet sot. Sepse çdo fjalë tjetër do të ishte e tepërt. Dhe çdo koment shtesë, vetëm do të legalizonte këtë marrëzi.

Në fund të fundit, e vetmja bombë që ka mbetur në këtë vend është dështimi i shtetit për të bërë shtet. Dhe ajo bombë nuk bie me zë. Ajo gërryen heshtur çdo ditë shtetin e Kosovës.

Nëse do të duhej të kishte një njoftim zyrtar, do të duhej të ishte ky edhe në formë lajmi edhe si përshkrim i të vërtetës: “Kuvendi i Kosovës sot është evakuuar për shkak të një kërcënimi të rremë. Por vendi mbetet i pushtuar nga një kërcënim shumë më i madh: boshllëku politik, paaftësia institucionale dhe një klasë udhëheqëse që s’ka më as turp, as ide, as mandat.”

Në një vend normal, kjo do të ishte pika e fundit. Në Kosovë kjo është thjesht edhe një ditë tjetër. Prandaj, e vetmja gjë që do duhej të shpërthejë, sot, në Kosovë është durimi i njerëzve që nuk do duhej të durojnë më.

Kur edhe turpi inskenohet, është koha të pyesim: kush është më i rrezikshëm – armiku imagjinar jashtë, apo ai real brenda? Kur shteti bëhet vetë autor i një skenari të frikës, është shenjë se frika më e madhe është vetë vota.

Dhe në këtë farsë që quhet seancë konstituive, asgjë nuk konstituohet, përveç paturpësisë./lajmi.net/