Bashkësia e Komunave është çelësi

Ivica Dacic nuk e di datën kur do të takohet me Kryeministrin Hashim Thaçi. Ai thotë se javën e ardhshme grupet punuese të Prishtinës dhe Beogradit do të takohen për të diskutuar për Bashkësinë e Komunave Serbe.

Lajme

02/01/2014 14:58

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka paralajëmruar se javën e ardhshme do të mblidhen grupet punuese në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa u shpreh se formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe bërja e statutit të saj janë çështje thelbësore.

“E shihni se kemi probleme në konstituimin e asambleve komunale. Duhet të formohet Bashkësia e Komunave Serbe për të ardhur te statuti dhe ngadalë po vijmë te thelbi i problemit, diçka që ndoshta askush nuk e ka kuptuar. Tani çështja kryesore është bërja e Bashkësisë së Komunave. I kthehemi temës së pavarësisë së saj dhe vazhdojmë në këtë lloj të bisedimeve”, ka thënë Dacic.

Ai nënvizoi se ende nuk e di datën kur do të mbahet takimi i radhës me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, por bëri të ditur se Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton i kishte thënë se do të ketë një takim në janar.

“Nuk jemi pajtuar që të takohemi më 17 janar për të vazhduar dialogun sepse nuk kam qenë i pajtimit ta pranoj atë datë, sepse mendoj që kjo do të ishte presion shtesë, dhe ne nuk duhet ët punojmë nën presion, duhet ta gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme”.

“Natyrisht se do të ketë edhe më tutje presione të ndryshme”, ka thënë ai.