Bashkëpunim miqësor i Sllovakisë me Kosovën, mungon vetëm njohja formale

Sllovakia është një nga pesë vendet e Bashkimit Europian e cila nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës dhe i pyetur nga Top Channel, në konferencën e përbashkët me shtyp pas takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në Tiranë, ministri i Jashtëm sllovak, Mirosllav Llajçak është shprehur se vendi i tij nuk fare armiqësor ndaj Kosovës, përkundrazi.

Lajme

09/03/2015 21:34

“Qëndrimi ynë kombëtar për sa i përket Kosovës nuk është armiqësor, përkundrazi është tërësisht e kundërta. Më duhet madje të them që bashkëpunimi ynë me Kosovën është shumë thelbësor, substancial, aktiv dhe madje shumë më i mirë se me shumë vende të tjera me të cilat Sllovakia ka marrëdhënie diplomatike. Ne kemi një mision në Prishtinë, ne njohim dokumentet zyrtare të Kosovës, ne kemi një dialog aktiv dhe japim asistencë zhvillimi në Kosovë, kemi ekspertë që kanë ardhur nga Kosova në Sllovaki, me fjalë të tjera kemi një bashkëpunim vërtet të qenësishëm. Perspektiva apo mënyra se si ne e shohim të ardhmen e Ballkanit Perëndimor është që ky rajon do të jetë në Bashkimin Europian në të ardhmen dhe, natyrisht, duke përfshirë edhe Kosovën”, deklaroi Llajçak, i cili theksoi se qeveria e tij po punon për njohjen e Kosovës megjithëse në këtë drejtim pengohet nga rezoluta e parlamentit të Sllovakisë që është kundër njohjes së shtetit të Kosovës.

Gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar konferenca e përbashkët për shtyp, në ambientet e Ministrisë së Jashtme ka mbërritur ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Llajçak, Bushati dhe Thaçi kane zhvilluar një takim mes tyre për rreth 20 minuta, pa praninë e mediave, ku tema kryesore e bisedimeve ka qenë njohja e Kosovës nga Sllovakia dhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy vendeve, raporton Top Channel.