Basha: Seanca konstituive nesër në ora 17:00, partitë janë dakorduar për votimin në pako të nënkryetarëve
Deputeti Dimal Basha ka bërë të ditur se gjatë takimit të sotëm me përfaqësuesit e partive politike është diskutuar rendi i ditës për seancën konstituive që do të mbahet nesër. Sipas Bashës, përfaqësuesit e partive të komuniteteve joshumicë dhe joserbe kanë propozuar që zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të bëhet përmes një votimi të përbashkët,…
Lajme
Deputeti Dimal Basha ka bërë të ditur se gjatë takimit të sotëm me përfaqësuesit e partive politike është diskutuar rendi i ditës për seancën konstituive që do të mbahet nesër.
Sipas Bashës, përfaqësuesit e partive të komuniteteve joshumicë dhe joserbe kanë propozuar që zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të bëhet përmes një votimi të përbashkët, propozim që ka gjetur mbështetje të gjerë. Ai tha se është arritur pajtueshmëri edhe për raportin verifikues, zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, si dhe për paketën e nënkryetarëve, transmeton lajmi.net.
“Ka ardhë si propozim i të gjitha partive politike të komuniteteve jo-shumicë dhe jo-serbe, që të shkohet në votim si pako, çështja e nënkryetarëve. Ka pasur konsensus për raportin, për kryetaren, nënkryetarët, dhe pakon e tyre. Më vjen shumë mirë për këtë gjë”, tha Basha.
Basha u shpreh i kënaqur me konsensusin e arritur dhe theksoi se procesi i formimit të institucioneve do të vazhdojë pa vonesa, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për bashkëpunimin.
Po ashtu, është vendosur që seanca të mbahet në orën 17:00, pas një propozimi të bërë nga Vlora Çitaku. Sipas Bashës, ky orar u caktua për shkak të angazhimeve gjithëditore që lidhen me zhvillimet gjyqësore në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së./lajmi.net/