Basha: Rama pranoi terrorin ndaj shqiptarëve që nuk mund të paguanin dritat
Faljen e kamatëvonesave për qytetarët të cilët nuk paguanin dot dritat nga ana e kryeministrit Edi Rama, kreu i PDsë Lulzim Basha e lexon ndryshe.

Lajme
Ky i fundit mendon se Rama më në fund ka pranuar se qeveria e tij po ushtron terror mbi qytetarët, të cilët nuk kanë para të paguajnë energjinë elektrike. Basha shprehet se falja e kamatë vonesave nga ana e kryeministrit ka ardhur për shkak se tanimë afrohet data e zgjedhjeve, shkruan gazeta Shekulli.
Statusi i shkruar nga Lulzim Basha
Edi Rama më në fund pranon dëmin e madh që u bëri shqiptarëve në nevojë me terrorin 3vjecar ndaj të varfërve që nuk paguanin dot dritat. Ai sot lajmëroi se do të falë kamatëvonesat, që është më minimalja që i kemi kërkuar të gjithë prej të paktën dy vitesh. Kjo është gjë e mirë për shumë familje në nevojë, sidomos tani që çmimi i dritave është rritur dhe fuqia blerëse e cdo familje shqiptare ka rënë. Fatkeqësisht, falja vjen tepër vonë për Qamil Zelën që u vetvra si pasojë e burgosjes së padrejtë për dritat e papaguara, për Arif Dodën dhe Llazar Nasin që u vetëvrane nga depresioni pasi OSHEE i shkëputi dritat, per 35 vjecaren Resmie Alla qe vdiq duke rilidhur energjinë për vogelushët e saj azmatikë, për Barbulla Pepen qe vdiq nga i ftohti pasi OSHEE i shkëputi për 2 muaj energjinë ne mes te acarit dhe për mijëra të tjerë që kaluan drama dhe tronditje psikologjike nga dhuna shtetërore ndaj tyre për më shumë se tre vjet.
Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës faktit se po afrojnë zgjedhjet dhe tani që Edi Rama ka nevojë për votat e njerëzve do përpiqet t’u hedhë edhe atyre ndonjë qoke të vogël, pasi tre vjet në pushtet ka menduar vetëm për pasuritë e tij dhe klientëve të tij duke grabitur paratë e qytetarëve. Falja e detyroi Kryeministrin që të nxjerrë veten gënjeshtar: në nëntor 2014 ai pati deklaruar se 98 për qind e pensionistëve dhe 93 për qind e personave me aftësi të kufizuar e paguanin rregullisht energjinë elektrike. Sot ai u detyrua te pranoje se janë të paktën 67 mijë familje pensionistësh që nuk përballojnë dot pagesat në kohë, të energjisë dhe janë gjobitur me kamatëvonesa. Megjithatë më mirë vonë se kurrë.