Basha falënderon ndërkombëtarët: Kërkuan zgjedhje jo pa opozitën
Protesta e gjashtë kombëtare e opozitës u zhvillua pa incidente si rrallëherë që prej 16 shkurtit.
Lajme
Protesta e 25 majit nuk pati të lënduar dhe ishte pa molotov dhe pa gaz lotsjellës. Këtë radhë opozita përdori balona me mbishkrimin “Rama ik” të cilat vërshuan mbi godinën e Kryeministrisë.
Protesta e gjashtë kombëtare nisi rreth orës 19.00, ku protestuesit iu drejtuan Kryeministrisë me pankarta nuk ka zgjedhje pa opozitën, në pritje të liderit Lulzim Basha, i cili si në çdo protestë u nis nga selia e Partisë Demokratike i shoqëruar nga qindra të rinj.
Në bulevard, përballë godinës së Kryeministrisë, Lulzim Basha mbajti fjalimin e radhës duke u shprehur se i gjithë sheshi është mbushur me kurajo dhe vendosmëri me një mesazh të qartë për ta dëgjuar e gjithë bota.
Pavarësisht se policia kishte angazhuar qindra forca, ndërhyrja e tyre nuk u desh as kur protestuesit iu drejtuan godinës së Ministrisë së Brendshme.
Vetëm përpara Parlamentit kishte tentativë të disa protestuesve duke qëlluar me gurë mbi policinë, por ato u neutralizuan menjëherë, pasi vetë drejtuesit e opozitës këtë radhë kërkuan nga të gjithë të ruanin gjakftohtësinë dhe të shmangeshin aktet e dhunës. Një thirrje të tillë bëri edhe policia.
Protestën Basha e mbylli përpara selisë së Partisë Demokratike ekzaktësisht pas 150 minutave. Aty ai dërgoi mesazhin e fundit të protestës së 25 majit për ndërkombëtarët dhe kryeministrin Rama, largimin e të cilit e quajti të panegociueshëm.
“Mesazhi i sotëm është i qartë dhe i prerë ndaj miqve dhe aleatëve tanë dhe ndaj kundërshtarëve dhe armiqve të demokracisë se ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë. Nuk do ta lejojmë kurrë despotizmin antievropian, të cilët kanë kapur drejtësinë dhe kanë bllokuar rrugëtimin tonë drejt Evropës. Sot japim këtë mesazh të qartë dhe të vendosur. Këtë betejë e nisëm për Shqipërinë si gjithë Evropa dhe tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Opozita do të protestojë sërish më 31 maj, për arsye se është dita kur Rama ka paralajmëruar se do të nisë fushatën elektorale.