Ballkani e vazhdoi dominimin në Kosovë, Drita shkëlqeu në Evropë

Ballkani është treguar mbret i futbollit kosovar edhe në vitin 2024. Skuadra nga Suhareka e vazhdoi dominimin në Superligën e futbollit. Me një rivalitet të fortë me Llapin dhe Dritën, ekipi Portokalli festoi në fund pas fitores në duelin direkt me llapjanët në stadiumin “Zahir Pajaziti”, dy xhiro pa përfunduar sezoni 2023/24. Me këtë rast,…

Sport

02/01/2025 22:50

Ballkani është treguar mbret i futbollit kosovar edhe në vitin 2024.

Skuadra nga Suhareka e vazhdoi dominimin në Superligën e futbollit.

Me një rivalitet të fortë me Llapin dhe Dritën, ekipi Portokalli festoi në fund pas fitores në duelin direkt me llapjanët në stadiumin “Zahir Pajaziti”, dy xhiro pa përfunduar sezoni 2023/24.

Me këtë rast, ekipi i Ilir Dajës e shijoi titullin e tretë të kampionit të Kosovës radhazi.

Një gjë të tillë e kishte bërë vetëm Besa në periudhën 2004-2007.

Muaji maj në fakt ishte mjaft i bereqetshëm për therandasit.

Krahas titullit të kampionit, ata e fituan edhe Kupën e Kosovës.

Armend Thaqi me shokë e mposhtën në finale të kësaj gare Prishtinën pas serisë së penalltive, 4:2.

Loja mjaft interesante dhe dramatike, e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” përfundoi me rezultat 2:2 pas lojës së rregullt dhe pas vazhdimeve.

Therandasit po avanconin 2:0, por kryeqytetasit nivelizuan gjithçka në minutat e fundit të lojës.

E pas ndeshjeve në nivelin vendor, gjatë verës erdhi koha për garat evropiane.

Kosovën në këto gara e përfaqësuan katër skuadra.

Ballkani luajti fillimisht në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, si kampion i Kosovës.

Llapi si nënkampion shkoi në kualifikimet e Ligës së Evropës, kurse Drita si e treta përfundoi në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.

E pasi Ballkani e fitoi edhe Kupën e Kosovës, iu hap rruga për në Evropë ekipit që përfundoi si i katërti në Superligës.

Bëhet fjalë për Malishevën, e cila shkoi në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

E nisim me Ballkanin, i cili për të tretin vit me radhë u eliminua në rundin e parë kualifikues të Championsit.

Portokallinjtë u eliminuan nga skuadra nga Andorra, Santa Coloma pas penalltive, 5:6.

E për dallim prej dy sezoneve paraprake, kur e kishte shkruar historinë duke shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ekipi nga Theranda këtë radhë dështoi në Evropë.

Kampionët luajtën më pas në rrethin e dytë kualifikues të UEFA Conference League.

Aty e eliminuan ekipin Hamrun Spartans, të cilin e mundën në Maltë me rezultat 2:0 duke e siguruar kështu kualifikimin në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës.

E në këtë fazë, fatkeqësisht u eliminuan nga ekipi i Irlandës së Veriut, Larne pas penalltivë, 1:3.

Dy ekipet paraprakisht e mundën njëri-tjetrin me rezultat identik, 1:0.

Eksperiencë të shkurtër në Evropë pati edhe Llapi.

Ekipi i Tahir Batatinës fillimisht u eliminua nga Liga e Evropës.

Aty u tregua i pafuqishëm në rrethin e parë kualifikues përballë Wisla Krakow, e cila i fitoi të dyja ndeshjet, 2:1 dhe 2:0.

Llapjanët i vazhduan garat në Ligën e Konferencës, ku në rrethin e dytë kualifikues u ballafaquan me një tjetër skuadër të njohur evropiane, Brondby.

Llapi humbi thellë në Danimarkë, 0:6, ndërsa në lojën e kthimit barazoi 2:2 në “Zahir Pajaziti”, duke e përfunduar kështu përvojën evropiane.

Për dallim prej Ballkanit e Llapit, Drita e pati një eksperiencë fantastike në Evropë.

Gjilanasit shkuan deri në fazën e “play-off”-it në Ligën e Konferencës, ku u eliminuan nga Legia Varshava.

Polakët i fituan të dyja takimet, 1:0 e 2:0 duke e shuar ëndrrën e “Intelektualëve” për ta prekur fazën e grupeve.

Paraprakisht, Bardhekaltrit në rrethin e dytë e eliminuan ekipin Breidablik, të cilin e mundën dy herë, 2:1 dhe 1:0.

Tutje, në rrethin e tretë kualifikues Drita e eliminoi ekipin Auda.

Letonezët e fituan lojën e parë, 1:0, ndërsa gjilanasit e mbyllën lojën e rregullt me rezultat identik në ndeshjen e kthimit.

E në vazhdime, gjilanasit e siguruan fitoren 3:1, ndërsa shkuan në “play-off” falë rezultatit të përgjithshëm, 3:2.

E skuadra e katërt që e përfaqësoi vendin tonë në Evropë, Malisheva, u eliminua në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, shkruan “Gazeta Express”.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Qëndrim Kida e shënoi një fitore historike në garat evropiane pasi e mundi Buduçnostin në lojën e parë.

Mirëpo, u tregua e pafuqishme në ndeshjen e kthimit në Podgoricë, ku humbi 0:3.

Sa i përket pjesës së dytë të sezonit, Ballkani pati rënie drastike, mbi të gjitha pas largimit të trajnerit Ilir Daja.

Therandasit u eliminuan edhe nga Kupa e Kosovës pasi u mposhtën nga Rilindja 1974 pas penalltive.