Bajrami deklarohet sërish: Kushdo që vjedh qoftë edhe një euro do të përfundojë në burg

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, është deklaruar sërish pas vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga Thesari i Kosovës.

Lajme

21/10/2020 19:18

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami paralajmëroi se do të dënohen me burg të gjithë ata që keqpërdorin paratë e buxhetit të Kosovës.

Bajrami mes tjerash konfirmoi se katër transaksione të dyshimta kanë ndodhur në Thesarin e Kosovës me rastin e ‘avullimit’ të më shumë se dy milionë eurove dhe se njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dy persona të tjerë ndodhen në arrati.

Postimi i plotë i Bajramit:

Kushdo që vjedh – qoftë edhe një euro – duhet të përfundojë në burg dhe të japë llogari para ligjit, para popullit dhe para Zotit.

E sqarova edhe sot në konferencën për media se katër transaksione të dyshimta kanë ndodhur në Thesarin e Republikës. Njëri nga të dyshuarit për këto transaksione është arrestuar. Dy tjetër janë në arrati. Të gjitha institucionet janë vënë në ndjekje të keqpërdoruesve. Rasti do të zbardhet dhe besoj se organet e hetuesisë dhe drejtësisë do t’i dënojnë me dënime kapitale kushdo që është i përfshirë në këtë rast.

Në këtë situatë po e mendoj vetëm një opsion: LUFTIMIN E HAJNAVE, KUDOQOFSHIN, KUSHDOQOFSHIN dhe të KUJDOQFOSHIN.

Do të kërkoj të verifikohet edhe një herë pastërtia e secilit zyrtar me pozitë të ndjeshme në Ministrinë e Financave.

Hykmete Bajrami /Lajmi.net/