“Bahtiri është zhdukur, po e kërkojmë”
Iniciativa Qytetare për Veprim në Mitrovicë (IQV), ka shpallur në kërkim kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, për shkak të heshtjes së tij kohët e fundit përballë premtimeve të ndryshme të parealizuara.
Lajme
Dhjetëra aktivistë të kësaj Iniciative, përmes një aksioni simbolik të organizuar sot para ndërtesës së Komunës në Mitrovicë, kanë vendosur pllakate me portretin e Agim Bahtirit ku shkruante “Wanted – Mashtrues”, të cilat u hoqën menjëherë nga pjesëtarët e sigurimit të komunës, ndërsa, pllakat të ngjashme janë vendosur edhe tek ura kryesore e Ibrit.
Ata ka kërkuar përgjegjësi publike dhe dorëheqje nga kryetari Agim Bahtiri, për premtimet e dhëna në lidhje me heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre në veri, punësimin e 15 mijë qytetarëve, sjelljen e investitorëve të huaj e.t.j.
Bujar Voca, kryetari i IQV-së në këtë qytet, tha mes tjerash se dorëheqja do të ishte i vetmi premtim të cilin Agim Bahtiri do të mund ta mbante nga të gjitha premtimet që i ka bërë deri sot.
“Po e kërkojmë Agim Bahtirin i cili është zhdukur prej para datës 15 qershor, sepse Ai që tre vite me radhë vazhdimisht është zotuar, ka dhënë premtime, data dhe afate për largimin e barrikadës mbi lumin Ibër. Zotimi i tij i fundit ka qenë se nëse deri më 15 qershor nuk heqet barrikada mbi Ibër, ai do të jap dorëheqje.
Përveç heqjes së barrikadave, ai ka premtuar edhe kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre në veri.
Përveç kësaj, Agim Bahtiri po luan një lojë të ndyrë me kufijt administrativë, po përpiqet të marr rolin e heroit, duke thënë se vetëm fal tij Mitrovicës nuk po i ndryshohen kufijtë administrativë, ndërsa ne e dimë se kryetari i komunës së Mitrovicës nuk vendos për kufijtë administrativë.
Po ashtu, Agim Bahtiri po përpiqet të luaj rolin e heroit duke thënë se është kërcënuar nga përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë Samuel Zhbogar me shkarkim, nëse nuk nënshkruan marrëveshjen për ndryshimin e kufijve administrativë.
Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse përfaqësuesi i BE-së nuk ka të drejtë ligjore të shkarkojë asnjë kryetar komune.
Besojmë se e vetmja e mirë që mund t’i bëjë ai Mitrovicës sot, është që të jep dorëheqje dhe të largohet nga pozita që mban…Ne mendojmë se përgjegjëse për barrikadën mbi Ibër është BE-ja…ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës ka manipuluar që tre vite me opinionin publik dhe me qytetarët e Mitrovicës, duke thënë se ai do ta largojë barrikadën”, ka thënë Voca.