Bahamet shteti i 121-të që e njeh Kosovën, cilat ishin reagimet?
Ditën e djeshme, Kosova u njoh nga Bahamet. Shteti i Bahameve, një vend në Karaibe, ka njohur pavarësinë e Kosovës ditën e djeshme, njoftoi presidentja Vjosa Osmani. Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamet u arrit në kryeqytetin e këtij vendi, Nassau. “Edhe një vendim historik për…
Lajme
Ditën e djeshme, Kosova u njoh nga Bahamet.
Shteti i Bahameve, një vend në Karaibe, ka njohur pavarësinë e Kosovës ditën e djeshme, njoftoi presidentja Vjosa Osmani.
Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamet u arrit në kryeqytetin e këtij vendi, Nassau.
“Edhe një vendim historik për vendin tonë”, shkroi Osmani.
Bahamet janë bërë tani shteti i 121-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.
Reagimet pas njohjes ishin të shumta, pa dyshim.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar lidhur me njohjen e Kosovës nga Bahamet, duke e vlerësuar këtë hap si zhvillim pozitiv për vendin.
Në një postim në ‘Facebook’, Hargreaves ka theksuar se njohja forcon rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kontribuon në stabilitetin rajonal.
‘‘Mirëpres vendimin e Bahamas 🇧🇸 për ta njohur Kosovën 🇽🇰. Ky është një zhvillim pozitiv, që forcon rolin gjithnjë në rritje të Kosovës si një partner i besueshëm në komunitetin ndërkombëtar dhe kontribuon në stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon”, ka shkruar ai.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar vendimin e Bahamas, që u bë shteti i katërt sivjet dhe i 121-i që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, raporton Sinjali.
Kurti në një postim në ‘Facebook’, tha se viti 2025 është viti i njohjeve të reja.
“Urime të gjithë qytetarëve dhe një mirënjohje e veçantë për presidenten tonë, Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë për një tjetër arritje në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, shkroi ai mes të tjerash.
Edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar përmes një postimi në “X” lidhur me njohjen e shtetit të Kosovës nga Bahamas.
Begaj ka shprehur mirënjohjen e tij për Bahamasin.
Sipas tij, ky vendim është një kontribut për paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në Ballkan.
“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Bahamas për njohjen e Kosovës, një kontribut domethënës për paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajonin tonë”, shkruan Begaj.
Si një njohje e re, për Kosovën paraqet një hap përpara, duke shpresuar për sa më shumë njohje dhe integrim në politikat evropiane e ato botërore.