Azemi i LDK-së: Aktakuza ndaj Nagip Krasniqit është pasqyra e përfshirjes së pushtetit në KEK

Anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka reaguar lidhur me aktakuzën nga Prokuroria Speciale ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit. Azemi ka kritikuar faktin se edhe pas arrestimit të Krasniqit, ai u mbrojt nga zyrtarët më të lartë të pushtetit, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte Krasniqi,…

Lajme

19/08/2024 20:04

Anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka reaguar lidhur me aktakuzën nga Prokuroria Speciale ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

Azemi ka kritikuar faktin se edhe pas arrestimit të Krasniqit, ai u mbrojt nga zyrtarët më të lartë të pushtetit, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte Krasniqi, vazhdimisht e mbështeti atë, shkruan lajmi.net.

Sipas anëtarit të kryesisë së LDK-së aktakuza e sotme është pasqyra e përfshirjes së pushtetit në KEK.

Tutje thekson se “kjo garniturë e njerëzve të pushtetit që bënin pazare me energjinë, i solli dëme Kosovës në miliona euro. Ndërmarrja e KEK-ut u kthye në çerdhe të krimit, me qindra kontrata njëburimore në vlerën e mbi 100 milionë eurove për dosta të pushtetarëve”.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit. Sipas aktakuzës ai nga 15 tetori vitit 2021 e deri me 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, kishte kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Këtë njeri që e kishte instaluar partia në pushtet në krye të KEK-ut, edhe pas arrestimit të tij, ishte marrë në mbrojtje nga zyrtarët më të lartë të pushtetit. E mbronte gjithë Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e cilës ishte. Siç e mbronin dhe mbrojnë edhe Martin Berishaj, kryemafiozin e energjisë, të cilin raportohej se Nagip Krasniqi e takonte fshehtas.
Kjo garniturë e njerëzve të pushtetit që bënin pazare me energjinë, i solli dëme Kosovës në miliona euro. Ndërmarrja e KEK-ut u kthye në çerdhe të krimit, me qindra kontrata njëburimore në vlerën e mbi 100 milionë eurove për dosta të pushtetarëve.
Aktakuza e sotme është pasqyra e përfshirjes së pushtetit në KEK. Ky kontroll e ndikim është i dëmshëm e duhet të marrë fund. Urojmë që organet e drejtësisë do të arrijnë ta zbardhin tërësisht krimin në KEK, pa u penguar nga ky pushtet që me çdo kusht e do kapjen e secilit institucion.