Avokatja e të akuzuarit në rastin Banjska kërkon të dëgjohen 9 dëshmitarë, Prokuroria thotë se dyshohen se janë të lidhur me Maksimoviq

Tre të akuzuarit në rastin e sulmit në Banjska janë paraqitur sot para trupit gjykues. Derisa seanca veçse është duke vazhduar, tre të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq janë deklaruar në lidhje me fajësinë. Spasojeviq dhe Toliq nuk kanë folur në lidhje me fajësinë, kurse Maksimoviq është deklaruar i pafajshëm për akuzën…

Lajme

16/01/2026 10:46

Tre të akuzuarit në rastin e sulmit në Banjska janë paraqitur sot para trupit gjykues.

Derisa seanca veçse është duke vazhduar, tre të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq janë deklaruar në lidhje me fajësinë.

Spasojeviq dhe Toliq nuk kanë folur në lidhje me fajësinë, kurse Maksimoviq është deklaruar i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohet, transmeton lajmi.net.

Kësisoj, gjykata ka konsideruar se të tre nuk e kanë pranuar fajësinë.

Tre të akuzuarit përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.

Gjatë seancës avokatja mbrojtëse e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, Jovana Filipoviq, ka kërkuar ndryshimin e aktakuzës, duke theksuar se ajo nuk është e saktësuar në mënyrë të mjaftueshme.

Ajo deklaroi se aktakuza duhet të individualizohet, duke përcaktuar qartë veprat penale për të cilat ngarkohet secili i akuzuar veç e veç, në mënyrë që të garantohet një proces i rregullt gjyqësor.

Filipoviq ka kërkuar gjithashtu që të kryhen ekspertiza shtesë lidhur me llojin e uniformës së përmendur në aktakuzë, si edhe për elementet që kanë të bëjnë me veprën penale në tërësi.

Filipoviq gjithashtu tha se çdo material fotografik i disponueshëm duhet të përfshihet në procesin e ekspertizës.

Ndër kërkesat e saj, avokatja ka kërkuar edhe ekspertizë për identifikimin e armës, për të cilën prokuroria pretendon se bëhet fjalë për snajper, ndërsa mbrojtja, sipas saj, pretendon se arma në fjalë është armë ajrore.

Përpos kësaj, avokatja Filipoviq pati edhe një kërkesë tjetër. Ajo propozoi që të dëgjohen edhe 9 dëshmitarë të tjerë.

Por kundër kësaj kërkese doli prokurori i rastit, Naim Abazi i cili deklaroi se një gjë e tillë është e pamundur, për shkak se ka mungesë të relevancës së provave.

Personat që Filipoviq këmbëngul të vinë si dëshmitarë, në fakt dyshohet se janë të ndërlidhur me të akuzuarin./Lajmi.net/