Avokati Smakiqi: Ligji i ri për Specialen duhet të zbatohet për krerët e UÇK-së në Hagë – prioriteti kryesor është fitorja në gjykatën e Apelit

Avokati Xhevdet Smakiqi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke thënë se vendi, sipas tij, i shpëtoi një situate të tensionuar politike dhe institucionale pas zgjedhjes së presidentes së re, Justina Pula Shiroka. Smakiqi tha për Lajmi.net se protesta 21-ditore e rinisë dhe veteranëve të UÇK-së ka ndikuar në ndryshimin dhe plotësimin e…

Lajme

07/10/2026 20:40

Avokati Xhevdet Smakiqi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke thënë se vendi, sipas tij, i shpëtoi një situate të tensionuar politike dhe institucionale pas zgjedhjes së presidentes së re, Justina Pula Shiroka.

Smakiqi tha për Lajmi.net se protesta 21-ditore e rinisë dhe veteranëve të UÇK-së ka ndikuar në ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndërsa si rezultat tjetër e cilësoi shmangien e zgjedhjeve të reja.

“Fillimisht, Republika e Kosovës mbrëmë, edhe pas tentimeve për diktaturë e kapje të të gjitha institucioneve nga një njeri, shpëtoi në 30 minuta kohë. Kjo gjendje e tensionit politik ishte sajuar për interesa e apetite personale të një njeriu, por falë tri shkronjave të arta, UÇK-së, rinisë dhe veteranëve që demonstruan 21 ditë, ishte rezultati vendimtar edhe për ndryshimin e plotësimin e ligjit për DHSK-në, por hajri, siç thotë populli ynë, u dyfishua kur u shmangën zgjedhjet e reja”, deklaroi ai.

Duke folur për zgjedhjen e Justina Pula Shirokës presidente, Smakiqi tha se mund të ketë dilema sa i përket procedurës kushtetuese, por konsideron se afati është respektuar pasi votimi kishte nisur më 6 tetor.

“Sa i takon procedurës kushtetuese të zgjedhjes së presidentes së re, znj. Justina Pula Shiroka, për konsideratën time mund të ketë pikëpyetje ose dilema, por meqë procedura e votimit dhe vetëm një raund, pra raundi i parë, filloi brenda datës 06.10.2026 dhe pati sukses, edhe pse teknikisht u përmbyll disa minuta pas orës 24:00, e konsideroj se u respektua afati kushtetues”, tha avokati.

Ai e ka falënderuar edhe presidenten e re për pranimin e detyrës në një periudhë të ndjeshme politike dhe diplomatike.

“Duhet falënderuar edhe znj. Justina Pula Shiroka që, edhe pse ad hoc, nën presion të sajuar tensionesh, pa negociata, pa takime ndërmjet liderëve politikë, ishte e gatshme ta pranojë detyrën dhe mandatin e Presidentit në një periudhë shumë delikate politike, diplomatike, e cila zgjidhje sadopak nuk do ta thellojë përçarjen e shkaktuar nga partia në pushtet.”

Smakiqi tha se puna e presidentes së re duhet të monitorohet, veçanërisht sa i përket ruajtjes së unitetit dhe funksionimit të institucioneve të pavarura.

“Duhet ta monitorojmë punën e znj. Justina Pula Shiroka që ta ruajë unitetin e popullit, funksionimin e institucioneve të pavarura, rendin kushtetues dhe moslejimin e ligjeve e vendimeve që kanë karakter kontrolli e diktature në dëm të lirive individuale, pronës private e sundimit të ligjit, tha ai për lajmi.net

Sipas tij, zhvillimet e mbrëmshme duhet të shërbejnë si mesazh për të gjithë politikanët, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

“Prandaj, nata e mbrëmshme i dha leksion secilit politikan, edhe Albin Kurtit, që diktaturën, kontrollin, shantazhin nuk e lejon, nuk e toleron populli i Kosovës e në veçanti rinia e saj..”

Smakiqi tha se tashmë institucionet duhet të fokusohen në zhvillimin ekonomik, rritjen e pagave dhe mirëqenien e qytetarëve, integrimin euro-atlantik, si dhe në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Tash institucionet, Qeveria duhet t’i përmbushin premtimet për zhvillim ekonomik, rritje të pagave e mirëqenies qytetare, integrimit euro-atlantik e prioritet të parë ta kenë fitoren e krerëve të UÇK-së në Gjykatën e Apelit.”

Në fund, ai kërkoi vëmendje të veçantë nga Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë për zbatimin e ndryshimeve të Ligjit për DHSK-në.

“Theks i veçantë duhet kushtuar dhe monitoruar Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë, për zbatimin e jetësimin e plotësim-ndryshimit të ligjit për DHSK-në.

Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e Kosovës më 7 tetor, pas një marrëveshjeje në çastet e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet dhe Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, pak para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ajo u zgjodh qysh në rundin e parë të votimit, me 81 vota për, minimumi i kërkuar në këtë rund.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, u betua si presidente para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.”/Lajmi.net/