Avdullah Hoti ia kishte ndihmuar Vjosa Osmanit të bëhej presidente, sot ajo e quan “person jorelevantë”

“Hoti është njëri nga personat më jorelevantë, me të cilin nuk dua të humb asnjë sekondë.” Kështu tha presidentja Vjosa Osmani në konferencë për media sot, kur u pyet të komentoj deklaratat e deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti. Ai e kishte quajtur Osmanin, hipokrite për deklaratat e saj në lidhje me Marrëveshjen e Uashingtonit, transmeton…

Lajme

17/07/2025 21:43

“Hoti është njëri nga personat më jorelevantë, me të cilin nuk dua të humb asnjë sekondë.”

Kështu tha presidentja Vjosa Osmani në konferencë për media sot, kur u pyet të komentoj deklaratat e deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai e kishte quajtur Osmanin, hipokrite për deklaratat e saj në lidhje me Marrëveshjen e Uashingtonit, transmeton lajmi.net

Në vlerësimin e Hotit, Osmani kohë më parë e kishte cilësuar këtë ujdi si ‘cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin’, ndërsa tani, pas pesë vjetësh, e quan ‘marrëveshje të mirë’ dhe madje pretendon se ‘e kemi zbatuar’.

Por, a është Hoti “person jorelevantë”?

Avdullah Hoti, si ish-kryeministër, ish-ministër, e tash deputet, nuk mund të cilësohet si “jorelevantë”.

Pa Hotin dhe kolegët e tij të LDK-së, Vjosa Osmani sot nuk do të ishte presidente.

Prania e deputetëve të LDK-së, në votimin e presidentës para 4 viteve ishte vitale që Vjosa Osmani të zgjidhej në pozitën më të lartë të shtetit.

Në votimin ku duhej të ishin të paktën 80 deputetë që merrnin pjesë në proces, ishte LDK-ja që ia bëri korumin e mjaftueshëm Osmanit dhe Hoti ishte njëri nga deputetët që mori pjesë në votim.

Kundërpërgjigja e Hotit ndaj Osmanit

Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentes Vjosa Osmani, të bërë sot në konferencë për media e ku e ka quajtur ish-bashkëpunëtorin e saj si “tepër jorelevant” që s’dëshiron t’ia kushtojë as edhe një sekond.

Ai ka thënë se pesë vite demagogji dhe mashtrime të Osmanit po dalin në shtet. Hoti akuzoj edhe më rëndë presidenten ku tha se ka qenë në shërbim të agjendës shtetrrënuese.

“Po i mbaron mandati 5-vjeçar në krye të shtetit të Kosovës pa asnjë rezultat e pa asnjë kontribut për shtetin e Kosovës. Pesë vite demagogji e mashtrime, të cilat po dalin sheshit. Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Ky është problemi që ka Vjosa. Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së. Kjo e ka hallin se në prill e dorëzon mandatin dhe do të mbahet përgjegjëse dhe bashkëfajtore për rrënimin e reputacionit të shtetit të Kosovës dhe dëmet që i janë bërë e po i bëhen shtetit të Kosovës. Asnjë fjalë nuk e flet për vendimet e organeve të drejtësisë që konstatojnë uzurpimin e institucioneve nga LVV dhe partnerët e saj, përfshirë ish-partinë e saj Guxo.”, shkroi Hoti në postimin e tij./lajmi.net/