Audio-incizimi ku Isufaj e Lumezi flasin me qasje shpërfillëse ndaj BE-së, Gërvalla: Dënojmë ashpër gjuhën denigruese

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas audio-incizimit që u publikua nga mbledhja mes Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, me kryeprokurorët e prokurorive, ku shpërfillen kritikat e Bashkimit Evropian lidhur me moszbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës, po shpërfillen nga disa anëtarë të sistemit prokurorial. Gërvalla ka thënë se ky…

Lajme

24/02/2026 22:44

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas audio-incizimit që u publikua nga mbledhja mes Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, me kryeprokurorët e prokurorive, ku shpërfillen kritikat e Bashkimit Evropian lidhur me moszbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës, po shpërfillen nga disa anëtarë të sistemit prokurorial.

Gërvalla ka thënë se ky audio-incizim është shqetësues dhe se gjuha dhe “diskutimet denigruese” të krerëve dhe ish-krerëve të sistemit prokurorial, paraqesin rrezik serioz dhe cënojnë rëndë integritetin dhe funksionimin profesional të sistemit prokurorial.

“Dënojmë ashpër gjuhën e tillë denigruese e cila është në kundërshtim me etikën dhe standardet profesionale të prokurorit, por gjithashtu, kërkojmë zbatimin e reformave dhe ndryshimeve ligjore tashmë në fuqi, për t’i dhënë sistemit prokurorial profesionalizmin, llogaridhënien dhe efikasitetin e munguar”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka shtuar se reforma në sistemin prokurorial dhe në atë të drejtësisë në përgjithësi, mbetet ndër top prioritetet.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në fjalën e tij ka thënë se qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me moskonstituimin e Këshillit, është i ndikuar nga një grup i interesit.

Edhe ish-Kryeprokurori i Shtetit, tani prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është shprehur kundër qëndrimeve të BE’së, duke thënë të jenë të ndikuara nga shoqëria civile dhe individë që duan ta shohin të dështuar sistemin prokurorial.

Sipas tij, anëtarë të sistemit prokurorial bashkëpunojnë me autoritetet ndërkombëtare me qëllim të dëmtimit të sistemit.