“Ata po festonin vrasjen e njerëzve”- Akuza makabre nga skandali “Sarajevo Safari”, ku turistët paguanin snajperë për të vrarë civilët
Pretendime tronditëse po rikthejnë në qendër të vëmendjes një histori të errët nga rrethimi i Sarajevës, ku dyshohet se persona të huaj, me gjendje të lartë financiare, paguanin shuma të mëdha për të qëlluar civilë në qytetin e rrethuar gjatë viteve 1992–1995. Sipas raportimeve të fundit, gjykatës në Itali kanë hapur hetime për të verifikuar…
Lajme
Pretendime tronditëse po rikthejnë në qendër të vëmendjes një histori të errët nga rrethimi i Sarajevës, ku dyshohet se persona të huaj, me gjendje të lartë financiare, paguanin shuma të mëdha për të qëlluar civilë në qytetin e rrethuar gjatë viteve 1992–1995.
Sipas raportimeve të fundit, gjykatës në Itali kanë hapur hetime për të verifikuar përfshirjen e mundshme të shtetasve italianë në atë që dëshmitarët e përshkruajnë si “turizëm snajperësh”. Këto akuza kanë qarkulluar prej vitesh, por tashmë po trajtohen në mënyrë më serioze nga autoritetet, transmeton lajmi.net.
Aleksandar Licanin, një ish-vullnetar në forcat serbe të Bosnjës, ka rrëfyer se ka parë të huaj të pozicionuar me armë snajperi në zonën e varrezave hebraike të Sarajevës. Sipas tij, ata paguanin shuma që arrinin mbi 100 mijë euro për të qëlluar objektiva civile.
“Ata po festonin vrasjen e njerëzve. Nuk mund ta imagjinoj se si mund të jetosh me vrasjen e një fëmije”, ka deklaruar Licanin, duke shtuar se pas sulmeve organizoheshin festa me ushqim dhe alkool.
Ai pretendon se organizimi bëhej nga struktura të caktuara paramilitare dhe se vizitorët vinin nga vende të ndryshme të Evropës, madje edhe nga Amerika e Veriut. Sipas dëshmisë së tij, pagesat ishin më të larta kur viktimat ishin fëmijë apo gra shtatzëna.
Akuza të ngjashme janë përmendur edhe nga ish-zyrtarë të sigurisë në Bosnje. Zlatko Miletiq, ish-shef i policisë së Sarajevës, ka deklaruar se snajperë të huaj ishin “të gërmuar thellë në llogore dhe të vështirë për t’u neutralizuar”. Ndërkohë, ish-oficeri i inteligjencës Edin Subasiq ka pohuar se kishte takuar pesë snajperë italianë, duke theksuar se më vonë pati ndërhyrje për t’i ndalur këto vizita.
Gjatë rrethimit katërvjeçar të Sarajevës u vranë mbi 11,500 civilë. Dëshmitarët thonë se intensiteti i të shtënave shpesh rritej gjatë fundjavave, çka sipas tyre përkonte me ardhjen e vizitorëve të huaj.
Ndërkohë që hetimet në Itali janë në zhvillim, shumë familje viktimash shpresojnë që këto pretendime të zbardhen plotësisht dhe, nëse provohen, përgjegjësit të përballen me drejtësinë./lajmi.net/