“As që më shkon në mendje njohja e Kosovës” – Vuçiq nga Kazakistani mohon se ShBA ia ka prezantuar një plan sekret Gjuriqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar nga Astana e Kazakistanit se nuk do të pranojë në asnjë rrethanë njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke hedhur poshtë pretendimet për një marrëveshje të mundshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I pyetur nga gazetarët për deklaratat e ish-diplomatit serb Nebojsha Vujoviq, i cili ka thënë se…

Lajme

26/02/2026 21:57

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar nga Astana e Kazakistanit se nuk do të pranojë në asnjë rrethanë njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke hedhur poshtë pretendimet për një marrëveshje të mundshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I pyetur nga gazetarët për deklaratat e ish-diplomatit serb Nebojsha Vujoviq, i cili ka thënë se në Uashington i është paraqitur një dokument për njohjen e Kosovës ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, Vuçiq tha se takimi mes Gjuriqit dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marko Rubio, ka qenë i rastësishëm, transmeton lajmi.net.

“Ka pasur biseda të mrekullueshme atje. Nuk më shkon ndër mend të pranoj çfarëdo lloj njohjeje të Kosovës. Nuk jam unë Nebojsha Vujoviq, i cili çdo pjesë të territorit të Serbisë do ta shiste për shishen e fundit për një ditë. Nuk më shkon në mendje që jo me Marko Rubion, por as me Shën Pjetrin të bisedoj për Kosovën. Kosova është Serbi, ka qenë dhe do të jetë, dhe këtu përfundon”, deklaroi Vuçiq.

Në anën tjetër, ish-diplomati Nebojsha Vujoviq ka pretenduar se presidenti serb është i gatshëm ta njohë Kosovën për të siguruar mbështetje politike dhe për të shmangur sanksionet amerikane. Duke komentuar vizitën e Gjuriqit në Uashington, ai tha për agjencinë “Beta” se Rubio e ka njoftuar diplomacinë serbe për, siç u shpreh ai, “një marrëveshje të fshehtë e detyruese për njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

“Gjuriq është ftuar në Uashington që Rubio, në emër të qeverisë amerikane dhe presidentit Donald Trump, ta njoftojë me një marrëveshje të fshehtë e detyruese për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ky ka qenë qëllimi kryesor i ftesës”, ka thënë Vujoviq, duke shtuar se Serbia “çdo ditë, hap pas hapi, po i afrohet formalizimit dhe njohjes zyrtare të Kosovës”.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë do t’i sillte përfitime politike presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa Vuçiqit do t’i siguronte kohë shtesë në pushtet dhe shmangie të sanksioneve të mundshme për korrupsion, manipulim zgjedhor dhe shkelje të sundimit të ligjit.

Deklaratat e kundërta nga Beogradi dhe ish-përfaqësues diplomatikë serbë vijnë në një moment të ndjeshëm të zhvillimeve rajonale dhe raporteve ndërkombëtare që lidhen me dialogun dhe statusin e Kosovës./lajmi.net/