Arsye pse pajisjet teknologjike duhet të ndalohen për fëmijët nën moshën 12 vjeçe

Akademia Amerikane e Pediatrisë dhe Shoqata Kanadeze e Pediatrisë kanë deklaruar se fëmijët e moshës 0 deri 2 vjeçare nuk duhet t’iu ekspozohen pajisjeve teknologjike, ata të moshës 3 deri 5 vjeçare duhet t’i përdorin vetëm një orë në ditë, ndërsa fëmijët e moshës 6 deri 18 vjeçare duhet t’i përdorin pajisjet teknologjike vetëm dy orë në ditë.

Auto & Tek

31/03/2019 16:49

Pajisjet teknologjike, si telefonat celularë ose tabletët, e kanë rritur shumë qasjen dhe përdorimin e teknologjisë, sidomos nga fëmijët e vegjël.

Pediatrat bëjnë thirrje që prindërit, mësuesit dhe qeveritë ta ndalojnë përdorimin e pajisjeve teknologjike nga fëmijët nën 12 vjeç. Duke analizuar 10 hulumtime të ndryshme, shumë pediatra bëjnë thirrje për një ndalim të tillë.

Në vazhdim mund t’i lexoni 10 arsye pse fëmijëve nën moshën 12 vjeçare duhet t’iu ndalohet plotësisht përdorimi i teknologjisë.

Rritja e shpejtë e trurit

Fëmijët e moshës 0 deri në 2 vjeç përjetojnë një rritje të madhe të trurit, ku vetëm për dy vjet truri rritet për tri herë. Zhvillimi i hershëm i trurit varet nga stimulimet e mjedisit. Është dëshmuar se stimulimet e zhvillimit të trurit, të cilat shkaktohen nga përdorimi i tepërt i teknologjisë, janë të ndërlidhura me ulje të aftësive njohëse, ulje të aftësisë për të nxënë dhe e ulje të aftësisë së vetëkontrollit.

Zhvillimi i vonuar

Përdorimi i tepërt i teknologjisë mund të rezultojë në vonim të zhvillimit. Një në tre fëmijë tani fillojnë shkollën me vonesa në zhvillimin e trurit. Përdorimi i teknologjisë nën moshën 12 vjeçare është vendimtar në procesin e zhvillimit dhe të të nxënit.

Mbipesha epidemike

Televizioni dhe video lojërat janë të lidhura me mbipeshën. Fëmijët, të cilëve u lejohet përdorimi i pajisjeve teknologjike në dhomat e gjumit, kanë 30 për qind shkallë më të lartë të mbipeshës. Një në katër fëmijë kanadezë kanë problem me rritje të peshës dhe rritje të rrezikut për sulm në zemër, që ndikon direkt në uljen e jetëgjatësisë.

Problemet e gjumit

60% e prindërve nuk përkushtohen në kujdesin për përdorimin e teknologjisë tek fëmijët e tyre dhe 75% e fëmijëve në fakt e kanë të lejuar që të përdorin pajisje teknologjike në dhomat e gjumit. 75% e fëmijëve nga mosha 9 deri 10 vjeç kanë probleme me gjumin dhe flenë më pak sesa që duhet.

Sëmundjet mendore

Përdorimi i tepërt i teknologjisë përshkruhet si faktor kyç në rritjen e problemeve mendore tek fëmijët, probleme këto të cilat janë: depresioni, stresi dhe sjelljet problematike tek fëmijët.

Agresiviteti

Mediat që shfaqin pamje të dhunës mund të ndikojnë që fëmijët tuaj të jenë agresivë. Fëmijët e vegjël janë shumë të ekspozuar ndaj incidenteve dhe dhunës që sot shfaqen masivisht në medie. Lojëra të ndryshme, si për shembull loja “Grand Theft Auto V (GTA)”, shfaqin skena seksi, vrasje, përdhunimi dhe torture.

Harresa digjitale

Mediat që kanë përmbajtje të ndryshme mund të kontribuojnë në mungesë të aftësisë së përqendrimit si dhe të ulin aftësitë për të mbajtur mend. Në të ardhmen, fëmijët që nuk mund të koncentrohen nuk mund të mësojnë.

Varësia

Kur prindërit e përdorin teknologjinë çdo ditë e më shumë, ata janë në fakt duke i larguar fëmijët nga vetja. Kur fëmijët i ekspozohen pajisjeve teknologjike dhe në mungesë të kujdesit nga prindërit, fëmijët lidhen me pajisjet teknologjike dhe kjo mund ta sjellë varësinë. Madje 1 në 11 fëmijë të moshës 8-18 vjeç kanë varësi nga teknologjia.

Emetimi i valëve radioaktive

Në maj të vitit 2011, Organizata Botërore e Shëndetësisë i vendosi telefonat celularë në kategorinë 2B të rrezikut të emetimit të valëve radioaktive. Jame McNamee nga Organizata Kanadeze e Shëndetësisë tha që fëmijët janë më të ndjeshëm sesa të rriturit në ekspozimin e valëve radioaktive për arsye se truri i tyre është në zhvillim e sipër. Në dhjetorë të vitit 2013, Dr. Anthony Miller nga Universiteti i Torontos rekomandoi që valët e lëshuara nga telefonat celularë duhet të hyjnë në kategorinë 2A dhe jo në atë 2B, që do të thotë se janë më të rrezikshme sesa mendohet.

Paqëndrueshmëria

Mënyra se si fëmijët rriten dhe edukohen me teknologji bën që ata të jenë të paqëndrueshëm. Fëmijët janë e ardhmja jonë, por nuk ka të ardhme për fëmijët që përdorin teknologji më shumë sesa që duhet, shkruan “Huffpost”, transmeton Gazeta Express.