Arsimi i dërrmuar
Duket që ne kemi harruar çfarë na ka ndodhë në historinë e çlirimit të Kosovës, dhe çfarë rëndësie ka arsimi për identitetin tonë, si popull, në Kosovë.
Opinion
Përplasja e madhe publike midis Sindikalistëve të arsimit dhe Qeverisë së Kosovës, i ka humbësit e njohur tash e sa kohë, teksa ende nuk dihet se kush në të vërtetë do të ngadhnjejë në fund në këtë dyluftimin e pakompromis i cili duket që do të vazhdojë deri në fund të këtij gjysmëvjetori.
Fëmijët, prindët, cilësia në shkolla, e bëjnë këtë Listën e atyre që janë goditur pamëshirshëm nga ky konfrontim i SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit.
Natyrisht, mund të flitet dhe të diskutohet ditë dhe natë se si mbërritëm në këtë stad kur jemi në gjendje të sakrifikojmë veten (fëmijët), për të jetësuar qëllimet sociale dhe politike.
Këtu nuk kemi pse të mirremi shumë me kërkesat e sindikalistëve për përmirësimin e statusit social të atyre që janë në arsimin kosovar. Ato mund të jenë krejtësisht të arsyeshme. Por, si njëra ashtu edhe tjetra palë, do të duhej të nxjerrnin mësim nga gjithë ky rrëfim i çuditshëm dhe gjithsesi i gabuar dhe i mbrapsht, i këtyre katër muajve të fundit, i cili dëfton për një mungesë të komunikimit elementar në mes të Sindikatës dhe Qeverisë në trajtimin e këtyre çështjeve të cilat janë jetike për thuaja të gjithë qytetarët e Kosovës.
Nuk na ka ra me qenë dëshmitarë të një konfrontimi të këtij lloji midis protagonistëve në arsimin kosovar, kur bëhet fjalë për kualitetin në arsim, i cili është vazhdimisht në rënie e sipër, teksa dihet që cilësia në ofrimin e dijes për fëmijët dhe studentët tonë është kusht themelor që si shoqëri dhe si vend, t’i afrohemi Evropës dhe Perëndimit.
Historia e arsimit në Kosovë, është, siç e dimë të gjithë ne, njëri prej kapitujve kyç të historisë së çlirimit të Kosovës.
Në realitet, arsimi ka qenë njëra prej fushëbetejave të para më të egra, dhe e tillë ka mbetë deri në qershorin e vitit 1999-të, në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Mbijetesa e shqiptarëve në Kosovë, ajo fizike, ajo biologjike, ka qenë ‘fronti’ i parë dhe më kryesori (gjithsesi), në këtë konfliktin historik dhe politik midis nesh si popull, dhe Serbisë si shtet.
Serbia që nga okupimi i Kosovës, në vitin 1912-të e këndej, ka ndërmarrë së paku katër ndërmarrje të mëdha të ndryshimit të strukturës etnike të Kosovës, në dëm të shqiptarëve.
Beogradi ka supozuar që derisa shqiptarët të jenë tre çereku apo edhe më shumë i popullsisë në Kosovë, gjasat që Serbia të lëshojë rrënjë këtupari janë minimale.
Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës janë dëbuar me dhunë, që prej viteve të para të okupimit, deri në fundvitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar.
Në pranverën e vitit 1999-të, ky numër i është afruar një milioni
Megjithatë, në fund, shqiptarët kanë dalë fitues në këtë ‘frontin’ e parë të kësaj lufte, ku nuk janë zgjedhur mjetet nga ana e Serbisë.
‘Fronti’ i dytë i madh ka qenë pikërisht arsimi. Edhe ata shqiptarë që do të mbeteshin të jetonin në Kosovë, është dashtë të mbeteshin të pashkollë dhe të pa dije.
Shqipja nuk ka qenë vetëm themel i identitetit kombëtarë për shqiptarët (kudo që janë), por ajo, e mësuar në shkolla, e lexuar në libra, e bërë letërsi, dije dhe shkencë, ka qenë kërcënimi i dytë më i madh, pas vetë pranisë fizike, i shqiptarëve si popull për pushtetin në Serbi.
Për këtë shkak, tek në vitet e shtatëdhjeta Kosova bëhet me Universitet, dhe ndodhë rrumbullakësimi i sistemit arsimor dhe kulturor.
Dihet që pas vitit 1981 (ngjarjeve të njohura me Lëvizjen e pranverës së atij viti), burimi i këtyre zhvillimeve madhore, nga pushteti i atëhershëm komunist në Beograd, kërkohej në arsimin kosovar, në të gjitha nivelet, veçmas në atë më të lartin, në Universitet, i cili madje klasifikohej si ‘Bastion i nacionalizmit shqiptar’.
Më në fund, të gjithë neve na kujtohet që njëra prej goditjeve të para dhe më të mëdha në fazën finale, më të egër të okupimit të Serbisë, i është dhënë pikërisht arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë, kur fëmijët dhe studentët shqiptarë u dëbuan nga objektet shkollore.
Reagimi i jonë u bë shembull, sepse ne krijuam sistemin tonë të arsimit, kudo në Kosovë.
E gjithë kjo histori është natyrisht e ditur për të gjithë ne.
Sidoqoftë, po del, edhe në bazë të rrëfimit të sivjetëm, që ne kemi harruar çfarë na ka ndodhë në këtë histori dhe çfarë rëndësie ka arsimi për identitetin tonë, si popull, në Kosovë.