Arsenijeviq e pengon në lokal kryetarin e Mitrovicës Veriore, ky i fundit e “shan” atë

Kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, i shoqëruar nga truprojat e tij, të hënën ishte ulur në kafiterinë ‘Bonsai’ në veri të Mitrovicës, por nuk mundi të shijonte kafenë, për shkak të zhurmës së fishkëllimave nga ana e liderit të ‘Demokracisë serbe’ Aleksandar Arsenijeviq dhe disa personave tjerë që ishin me të. Ai…

Lajme

30/09/2024 18:51

Kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, i shoqëruar nga truprojat e tij, të hënën ishte ulur në kafiterinë ‘Bonsai’ në veri të Mitrovicës, por nuk mundi të shijonte kafenë, për shkak të zhurmës së fishkëllimave nga ana e liderit të ‘Demokracisë serbe’ Aleksandar Arsenijeviq dhe disa personave tjerë që ishin me të.

Ai për pak minuta detyrohet të largohet nga lokali, duke u futur në automjetin zyrtar, ndërsa politikani serb dhe të tjerët i shkojnë prapa duke fishkëlluar.

Gjatë qëndrimit në lokal, herë pas here ka pasur komunikim në formë të ironizimit me njëri-tjetrin, derisa Arsenijeviq i bënte pyetje vazhdimisht pse Atiq nuk është në vendin e punës gjatë orarit.

Ky i fundit dëgjohet edhe duke përdorur fjalë të rënda me zë të ulët.

Politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq, tha se bëhet fjalë për një kryetar jo legjitim dhe një pushtet jo vetëm anti-serb, por anti-qytetarë, sepse anashkalon për t’i punësuar shqiptarët e këtushëm të Mitrovicës dhe sjellë të tjerë nga viset e ndryshme të Kosovës.

“Atiq është kryetar jolegjitim i cili bie vendime në kundërshtim me të gjithë qytetarët. Do të thotë kemi një pushtet, jo vetëm anti-serb, por anti-qytetarë. Sjellin shqiptarë nga vise të ndryshme të Kosovës për të plotësuar dosjet e kuotave, para shqiptarëve tanë të cilët jetojnë në këtë qytet…. Ai na ka sharë, e kemi të incizuar me video, shokut tim i ka thënë…, dhe kjo nuk është hera e parë, sepse herën e kaluar na ka quajtur majmunë, idiotë etj, që do të thotë se kemi një kryetar jo të kulturuar, para se të jetë jolegjitim”, ka thënë Arsenijeviq.

Në videon e siguruar kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq ndëgjohet duke fyer në gjuhen serbe. Atiq ka mohuar të ketë fyer politikanin serbe, Aleksandar Arsenijeviq dhe të tjerë aty.

“Jo jo, s’ka asgjë prej asaj pune. A ke fyer? Jo jo, nuk ka asgjë të vërtetë”, ka thënë shkurt Atiq.