Arsenali i “mbijeton” kartonit të kuq të Xhakës – nxjerr një barazim të vlefshëm në Anfield

Liverpooli dhe Arsenali kanë mbyllur me barazim pa gola duelin e parë të sfidës gjysmëfinale të Kupës Carabao.

Sport

13/01/2022 22:47

Arsenali ka arritur të nxjerr një barazim të vlefshëm ndaj Liverpoolit, duke pasur parasysh faktin se luante në udhëtim dhe ishte me një futbollist më pak që nga minuta e 24-të.

Në minutën e 24-të, Granit Xhaka u ndëshkua me karton direkt të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Jotas, duke e lënë skuadrën e tij me 10 futbollistë që nga minuta e 24-të.

“The Reds” nuk kanë arritur që ta shfrytëzojnë epërsinë e një futbollisti më tepër në fushë, duke mos shënuar asnjëherë përkundër përpjekjeve të vazhdueshme dhe kësisoj ka lënë të hapur gjithçka për ndeshjen e dytë kthyese në Londër.

Arsenali tani ka një mini-avantazh pasi luajnë para shikuesve të vet dhe mund t’i kthehen në skuadër disa nga futbollistë që ishin të lënduar për ndeshjen e sotme.

Ndeshja kthyese do të zhvillohet të enjten e ardhshme në orën e njëjtë. /Lajmi.net/