Arrestohet një zyrtar i burgut të Dyzit, kapet me drogë në vendin e punës

Një zyrtar korrektues në burgun e Dyzit është arrestuar, pasi i është kapur me substancë të dyshuar narkotike.

Lajme

16/02/2020 10:24

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se mbrëmë rreth orës 21:35 në Burgun e Sigurisë së Lartë, zyrtari korrektues R.J me detyrë në Portën 0 është ndalur nga zyrtarët tjerë me detyrë në të njëjtin vend, të cilit i kanë gjetur substancë të dyshuar narkotike.

Siç njofton kumtesa, R. J, i është bërë kontrolli trupor, ku në xhep i janë gjetur edhe një paketim me 32 letra për mbështjellje të marihuanes.

Lidhur me rastin menjëherë janë njoftuar prokuroria dhe policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, fillimisht Policia e Stacionit të Podujevës, e po ashtu edhe zyrtarë policor të Njësitit Antidrogë nga Regjioni i Prishtinës.

Me urdhër të prokurorit, R.J është arrestuar dhe është dërguar në stacion për intervistim.

Ndaj të njëjtit, SHKK ka iniciuar procedurat për pezullim nga vendi i punës.

Siç thuhet në njoftim Shërbimi Korrektues i Kosovës është i fokusuar në luftimin e dukurive negative, ku hyjnë luftimi i kontrabandës dhe substancave narkotike, keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe korrupsioni. /Lajmi.net/