Arrestohet një i dyshuar për tentim vrasjeje në Mitrovicën e Veriut, policia gjen armë, granatë dhe drogë

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprën penale “Vrasje në tentativë”, pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e 6 marsit në rrugën “Anri Dinan” në Mitrovicën e Veriut. Sipas policisë, rreth orës 21:20 është pranuar njoftimi nga Spitali Rajonal i Mitrovicës së Veriut se një person ishte paraqitur për trajtim…

Lajme

07/03/2026 11:38

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprën penale “Vrasje në tentativë”, pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e 6 marsit në rrugën “Anri Dinan” në Mitrovicën e Veriut.

Sipas policisë, rreth orës 21:20 është pranuar njoftimi nga Spitali Rajonal i Mitrovicës së Veriut se një person ishte paraqitur për trajtim mjekësor me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë, transmeton lajmi.net.

“Sipas hetimeve fillestare, tre persona kanë dalë nga një veturë me targa të huaja, fillimisht e kanë sulmuar fizikisht viktimën dhe më pas njëri nga ta e ka goditur me thikë katër herë në këmbën e majtë dhe një herë në stomak”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia dyshon se incidenti ndodhi pas një mosmarrëveshjeje verbale që lidhej me çështje qiraje.

Pas veprimeve operative, autoritetet kanë arritur të identifikojnë automjetin e përdorur nga të dyshuarit, i cili ishte i parkuar afër vendit të ngjarjes dhe më pas është sekuestruar.

“Policia ka identifikuar edhe vendndodhjen e njërit prej të dyshuarve dhe ka ndërhyrë në lokacionin ku ai ndodhej. Pas një përpjekjeje për t’u larguar, i dyshuari është arrestuar në adresën e familjarëve të tij në Mitrovicë të Veriut”, thuhet më tej në njoftim.

Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur edhe mjetin e mprehtë që dyshohet se është përdorur në rast, si dhe një arsenal armësh dhe pajisjesh të tjera.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë AK-47, 34 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një karikator me 29 fishekë, një granatë dore M-75, një antiplumb, dy shok-bomba, një flakadan, dy thika, një peshore, substanca dhe bimë narkotike, qese najloni dhe folie, një cigare e dyshuar si marihuanë, si dhe para të shtetit të Serbisë”, njofton policia.

Njësitë për trajtimin e mjeteve shpërthyese kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar.

I dyshuari B.I., i lindur në vitin 2000, është shoqëruar në stacion policor dhe në prani të avokatit mbrojtës ka shfrytëzuar të drejtën për të heshtur.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se në këtë rast dyshohet të jenë të përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në arrati dhe janë duke u kërkuar nga autoritetet.

Ndërkohë, prokurori i shtetit ka urdhëruar inicimin e rasteve penale për veprat “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”./lajmi.net/