Arrestohet në Shqipëri luftëtari rus i ISIS-it

Policia e Shtetit ka arrestuar një shtetas rus, luftëtar i ISIS-it, që ishte fshehur në Shqipëri. Në pranga ka rënë shtetasi R. M., 34 vjeç, lindur dhe banues në Norilsk, Rusi, me qëllime ekstradimit drejt vendit të tij.

Lajme

12/07/2019 09:19

Burimet zyrtare raportojnë se arrestimi i rusit është bërë falë bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me agjencitë ligjzbatuese partnere dhe ato të inteligjencës.

34-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Rusia për terrorizëm dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste. Ai kishte ardhur si emigrant i paligjshëm në Shqipëri dhe ishte shpallur në kërkim nga Interpol Moska. Gjykata në Nadterechni, Republika Çeçene / Rusi, me vendim penal të datës 8 prill 2015, ka lëshuar urdhër – arrestin për këtë shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë terroriste”, parashikuar nga Kodi Penal rus.

Në Qershor të vitit 2013, R.M., është larguar nga Rusia drejtë Sirisë, ku i është bashkuar ISIS-it. Gjatë kësaj periudhe ai ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri.

Materialet e para hetimore të kryera për këtë ngjarje, i janë referuar Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”. /tch