Arrestohet Kryeshefi Ekzekutiv i kompanisë UNITETI në Mitrovicë, keqpërdori detyrën zyrtare

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë së menaxhimit të mbeturinave, Gazmend Morina është ndaluar sot nga policia nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajme

01/08/2019 17:17

Nga ana tjetër vet kryeshefi Morina këtë e quan veprim politik.

Morina i cili në detyrën e kryeshefit ekzekutiv është zgjedhur më 7 nëntor të vitit të kaluar, ka bërë disa denocime në polici dhe prokurori për keqpërdorimet e shumta që ka gjetur në Kompaninë rajonale të menaxhimit të mbeturinave UNITETI në Mitrovicë.

Por tani vet Morina është ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

E avokati i tij, Musa Damati për lajmi.net ka thënë se klienti i tij, Gazmend Morina është ndaluar për 48 orë pas intervistimit në zyrat qendrore të Policisë së Kosovës.

Damati pretendon se arrestimi i klientit të tij ka prapavi politike.

“Klienti im, kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike z.Gazmend Morina është ndaluar në mbajtje për 48 orë pas intervistimit në zyrat qendrore të policisë së Kosovës dhe prapa këtij rasti qëndron politika e cila me çdo kusht tash e një kohë të gjatë është duke tentuar që ta atakojë punën e kryeshefit Morina si konsekuencë e denoncimeve të mëparshme për keqpërdorimet të cilat kanë ndodhur në të kaluarën dhe të cilat i ka raportuar klienti im në ndërmarrjen në të cilen tani është Kryeshef Ekzektuiv i saj, pra kemi të bëjmë më një rast të montuar për motive politike”, tha Musa Damati, avokati i Gazmend Morinës. /Lajmi.net/