Arrestohet 30-vjeçari, hapi llogari në emër të qeverisë për të përfituar nga ndihmat
Ndërkohë që shumica e shqipëtarëve janë bërë bashkë për të ndihmuar njëri-tjetrin në këto ditë të vështira, ka të tjerë që fatkeqësisht e shikojnë si situatën e duhur për të përfituar.
Lajme
Ditën e sotme policia ka arrestuar një shtetas në Lezhë, i cili duke përdorur emrin e qeverisë ka krijuar një llogari në Facebook, duke mbledhur shuma monetare si ndihma për të përballuar dëmet nga tërmeti.
Shtetasi Arian Mali, 30-vjeç, me anë të llogarisë, të cilën e kishte quajtur ‘Rilindja’ ka përfituar nga zemërgjerësia e donatorëve të ndryshëm, të cilët kanë menduar për të mirën e të prekurve nga tërmeti. “Në këtë faqe, ky shtetas, ka postuar një status në emër të Kryeministrit, duke u bërë thirrje qytetarëve për solidarizim duke kontribuuar në vlera monetare në dy numra llogarie, të cilat ky shtetas i kishte publikuar në këtë status. Gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme”, ” tha Zv/drejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj. Shtetasit që do vazhdojnë të bëjnë përfitime të tilla, nuk do të tolerohen. “Policia e Shtetit, duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha familjet e dëmtuara, mbetet e angazhuar maksimalisht, në misionin e saj në shërbim të qytetarëve. Për çdo denoncim apo sinjalizim të çfarëdolloj abuzimi apo shkeljeje të ligjit, telefononi në numrin 112”, u shpreh ajo.