Arrestohen pesë persona në Leposaviq për vjedhjen e rëndë të veturës dhe pajisjeve prej 6 mijë eurosh

Policia e Kosovës në Leposaviq ka identifikuar dhe arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, e cila ishte raportuar më 5 qershor. Sipas raportit policor, rasti ishte iniciuar pasi ankuesi kishte deklaruar se, gjatë kohës që ndodhej jashtë vendit, persona të panjohur i kishin vjedhur në shtëpinë e tij në fshatin…

Lajme

19/09/2026 18:10

Policia e Kosovës në Leposaviq ka identifikuar dhe arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, e cila ishte raportuar më 5 qershor.

Sipas raportit policor, rasti ishte iniciuar pasi ankuesi kishte deklaruar se, gjatë kohës që ndodhej jashtë vendit, persona të panjohur i kishin vjedhur në shtëpinë e tij në fshatin Kneževo Berdo një automjet, një motokultivator, tre gjeneratorë dhe pajisje të tjera, me një vlerë totale rreth 6,000 euro, transmeton lajmi.net.

Pas një pune intensive hetimore dhe operative, zyrtarët policorë arritën të sigurojnë informacione për vendndodhjen e automjetit të vjedhur dhe më pas të identifikojnë pesë të dyshuarit. Të premten, më 18 shtator 2026, policia ndërmori aksionin për arrestimin e tyre në zonën e Leposaviqit.

Gjatë intervistimit në stacionin policor, të dyshuarit kanë pranuar se e kanë kryer veprën penale. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit:

  • Katër prej të dyshuarve (G.Z. i a. 1995, D.D. i a. 2003, N.P. i a. 2007, dhe J.V. i a. 1997) janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • I dyshuari i pestë (N.S. i a. 2004) është liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë operacionit, policia ka arritur të sekuestrojë automjetin, motokultivatorin dhe disa nga pajisjet e tjera të vjedhura, të cilat tashmë i janë kthyer pronarit të ligjshëm. Policia e Kosovës rikonfirmoi përkushtimin e saj në mbrojtjen e pronës së qytetarëve dhe vënien para drejtësisë të shkelësve të ligjit.

Njoftimi i plotë: 

Policia në Leposaviq identifikon dhe arreston pesë persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”
Leposaviq, 19.09.2026
Më datën 05.06.2026, në Stacionin Policor në Leposaviq është iniciuar rasti penal “Vjedhje e rëndë”. Sipas deklarimit të ankuesit, gjatë kohës sa ai kishte qenë jashtë vendit, në shtëpinë e tij në fshatin Kneževo Berdo, në Leposaviq, i ishin vjedhur një automjet, një motokultivator, tre gjeneratorë, si dhe disa mjete të tjera. Vlera e përgjithshme e të gjitha sendeve të vjedhura, sipas ankuesit, ishte rreth 6,000 euro.
Pas një pune hetimore dhe operative, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor në Leposaviq, më datën 18.09.2026, kanë arritur deri te informacionet lidhur me vendndodhjen e automjetit të vjedhur, ndërsa më pas është bërë edhe identifikimi i pesë personave të dyshuar në lidhje me këtë rast.
Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, me ç’rast policia ka arritur t’i arrestojë pesë personat e dyshuar, të cilët janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë intervistuar lidhur me rastin. Gjatë intervistimit, të dyshuarit kanë pranuar se e kanë kryer veprën penale në fjalë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit: G.Z., i lindur më 1995, D.D., i lindur më 2003, N.P., i lindur më 2007, dhe J.V., i lindur më 1997, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari N.S., i lindur më 2004, është liruar në procedurë të rregullt.
Te njejtit jane arrestuar ne zonen e Leposaviqit.
Policia, po ashtu, ka arritur të gjejë automjetin e vjedhur, motokultivatorin, si dhe disa nga pajisjet e tjera të vjedhura, të cilat i janë kthyer pronarit.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale, si dhe në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjen e pronës së qytetarëve./lajmi.net/