Arrestimi i shtatë serbëve në Graçanicë për kërcënim dhe presion ndaj votuesve – vjen reagimi nga Lista Serbe dhe Beogradi: Po ndihmohet Rashiqi
Shtatë persona serbë të Kosovës u arrestuan nga policia nën dyshimet për “kërcënime, presion dhe shantazh” ndaj vullnetit të lirë të votuesve. Njoftimin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se arrestimet janë kryer në komunën e Graçanicës, vendbanim ky i banuar me shumicë serbe jo…
Lajme
Shtatë persona serbë të Kosovës u arrestuan nga policia nën dyshimet për “kërcënime, presion dhe shantazh” ndaj vullnetit të lirë të votuesve.
Njoftimin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se arrestimet janë kryer në komunën e Graçanicës, vendbanim ky i banuar me shumicë serbe jo larg Prishtinës.
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se personat e ndaluar, shtetas të Republikës së Kosovës, të nacionalitetit serb, “të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’ nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Ministri i rendit, Xhelal Sveçla, ndërkaq, shkroi se “akte të tilla, që targetojnë drejtpërdrejt qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia, të cilat cenojnë pluralizmin politik dhe rendin demokratik në vendin tonë”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Listës Srpska, e cila tha se në komunën e Graçanicës “janë arrestuar drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore” dhe se me këtë “po kryhet integrim i dhunshëm i institucioneve shëndetësore dhe arsimore”.
Këto institucione serbe funksionojnë akoma nën sistemin e Serbisë, por që nga autoritetet e Kosovës cilësohen struktura paralele serbe.
“Këto arrestime nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet, kjo është një përpjekje për të sulmuar shëndetësinë dhe arsimin serb dhe, nga ana tjetër, nëse flasim për zgjedhjet, për t’i ndihmuar Nenad Rashiqit që me forcë t’i fitojë votat e popullit serb”, tha Igor Simiq nga Lista Srpska.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se “të gjithë personat që me veprimet e tyre kanë kontribuar në arrestimin e serbëve në Graçanicë, drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të Republikës së Serbisë nga pjesa qendrore e Kosovës, do të ndiqen dhe sanksionohen në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë”.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, në zgjedhjet e fundit në Kosovë, të mbajtura në dhjetor të vitit të shkuar, fitoi nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për serbët në parlamentin e Kosovës.
Arrestime ndodhën pasi ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, akuzoi publikisht Listën Serbe, parti kjo që e ka mbështetjen e Beogradit, për “presion” dhe “frikësim” ndaj mbështetësve të tij, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente të Kosovës që të reagojnë.
Nenad Rashiq është lider i partisë serbe “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, që merr pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe që dy mandate ishte pjesë e Qeverisë së Kosovës.
Ai tha se drejtorët që punojnë në institucionet paralele serbe në komunën e Graçanicës, të emëruar nga Lista Srpska, po largojnë nga puna qytetarë serbë që nuk e mbështesin Listën Srpska./DW/