Arben Gashi: Rikthimi i Osmanit në politikën ditore të Kosovës do të sillte dinamizëm, në LDK kërkon proces gradual dhe bashkim të brendshëm

Vjosa Osmani ka nisur takimet me qytetarë, e po diskutohet që ajo të kthehet në LDK. Për këtë ka folur për Blic Interview me Astrit Gashin, ish deputeti i LDK-së, Arben Gashi. Ai thotë se kthimi i Osmanit në politikën ditore të Kosovës do të jetë një prurje që do t’i japë më shumë dinamizim…

Lajme

24/04/2026 22:33

Vjosa Osmani ka nisur takimet me qytetarë, e po diskutohet që ajo të kthehet në LDK.

Për këtë ka folur për Blic Interview me Astrit Gashin, ish deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

Ai thotë se kthimi i Osmanit në politikën ditore të Kosovës do të jetë një prurje që do t’i japë më shumë dinamizim politikës në Kosovë, ndërsa impakti do të shihet me kohë.

“Klasa politike pasurohet gjithmonë, edhe në këtë rast kthimi i zonjës Osmani në politikën ditore të Kosovës do të jetë një prurje që do t’i japë më shumë dinamizim politikës në Kosovë. Se sa do të ketë impakt politik mbetet të shihet, a do të jetë pjesë e një grupi politik apo do të formojë parti të re, janë shumë pak ditë që do të merret vesh por së pari ajo duhet të vendos a do të merret me politikë aktive ditore apo jo”, ka vlerësuar ai.

Gashi ka folur për kthimin e Osmanit në LDK dhe bashkimin e të djathtës.

“Ajo që po shihet në këto 2-3 palë zgjedhje në LDK, kjo parti nuk është më e vetëmjaftueshme, s’po mund ta marrë rezultatin e nevojshëm për të qenë faktor kryesor politik në vend dhe i duhet të kërkojë përtej. Ky kërkim përtej çon edhe te ish anëtarët e partisë. Mendoj se nuk është vetëm një emër i përveçëm. Bashkimi i së djathtës është bashkimi i platformave, Vjosa është individ, nga partitë AAK i përket qendrës së djathtë, PDK qendrës së majtë. Me AAK-në do të doja koalicion paszgjedhor, ndërsa një listë të përbashkët nuk është lehtë të ndërkohët sidomos në kohë të shkurtër. Pas zgjedhjeve nuk duhet përjashtuar asnjë nga partitë për koalicion, duke e përfshirë edhe VV-në, e kam thënë edhe në zgjedhjet tjera”, është shprehur ai.

Sipas tij, në LDK duhet të jenë dyert e hapura për të gjithë, Osmanin, Veliun e të tjerë, që të ndërtojnë mirëbesimin e brendshëm fillimisht.

“Në LDK duhet t’i kenë hapur dyert të gjithë. LDK-ja duhet t’i kthejë fillimisht njerëzit e saj, ndër ta është edhe Vjosa, Agimi, ai tjetri. Po shihet që po është e pamjaftueshme, nuk po mund ta kthejmë Podujevë, Gjilanin, disa bastione që i kemi pas si LDK. Ne duhet ta ndërtojmë mirëbesimin e brendshëm. Nëse është thyer besimi brenda, si mund të reflektosh besim dhe mirëbesim jashtë”, ka shtuar Gashi.

Por, ish deputeti thotë se Osmani duhet të kthehet në LDK gradualisht, me një ekip ët veten.“Më e kuptueshme është një rikthim gradual i Vjosa Osmanit dhe në këtë mënyrë bashkëpunimi është më i natyrshëm dhe më i lehtë dhe arrihet marrëveshja më lehtë, se sa një rikthim individual sepse mbesin ndoshta shumë njerëz jashtë pastaj që nuk ndihen pjesë e platformës politike. Vjosa duhet t’i bashkohet LDK-së me një ekip, nëse e ka”, ka potencuar Gashi.

Mirë, si është pritur rikthimi i saj i mundshëm në LDK? Sipas Gashit, ka shumë që janë të irrituar dhe kanë refuzim, që është normale.

“Ka plot që e presin një bashkëpunim të tillë, ka edhe që ndihen të tradhtuar, që ndihen të lënë anash, të keqtrajtuar në këto 5 vite nga ata që u larguan drejt VV-së, me një platformë politike të quajtur Guxo dhe tash kanë irritim dhe refuzim që është normale por ne duhet të fokusohemi aty që ta çojmë vendin përpara”, ka deklaruar Arben Gashi.