Anketa: Isa Mustafa duhet ta shkarkojë ministrin Ferid Aganin
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit, Hapësinorë, Ferid Agani duhet të shkarkohet menjëherë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa për shkak se Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë nën dyshimin se është i përfshirë në keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhënie e marrje të ryshfetit, si dhe shmangie taksash.
Lajme
Kështu kanë votuar 78 përqind e respodentëve në një anketë të realizuar nga KosovaPress. 15 përqind të tjerë kanë votuar se ky shkarkim nuk duhet të ndodhë, kurse, 7 përqind janë përgjigjur se nuk e dinë. Megjithatë, kryeministri Mustafa duket se po heziton ta shkarkojë por edhe ta lirojë nga detyra për shkak të rrezikut të prishjes së koalicionit parazgjedhor në mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Partisë së Drejtësisë, të cilën e drejton Ferid Agani.
Ndryshe, pas dy vitesh hetimi, Prokuroria e Kosovës ka ngritur padi ndaj ministrit të Mjedisit Ferid Agani dhe 63 personave të tjerë. Agani akuzohet se në bashkëpunim me të dyshuarit e tjerë, ka abuzuar me detyrën, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej më shumë se katër milionë eurosh gjatë periudhës kur ka qenë ministër i Shëndetësisë dhe konkretisht në periudhën 2011-2015.
Padi është ngritur edhe ndaj sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë Gani Shabani, 44 mjekëve, 3 kirurgëve, një infermiereje dhe 13 personave që punojnë në institucione shëndetësore private. Sipas aktakuzës, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dërguar pacientë nga spitalet shtetërore në dy spitale private, në kundërshtim me sistemin e referimit të pacientit dhe për ketë kanë marrë ryshfet nga këto spitale. Shumat e ryshfetit të marrë varionin nga 150 deri 500 euro për pacient të dërguar në spitale private.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa ta lirojë nga detyra deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë.
