Angazhimi për siguri gjatë zgjedhjeve
Presidentja Atifete Jahjaga dhe Drejtori i Polcisë, Shpend Maxhuni, biseduan sot për procesin zgjedhor që zhvillohet në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, më 17 Nëntor, si dhe për gjithë procesin e balotazhit që mbahet në disa komuna më 1 dhjetor.

Lajme
Rivotimi në tri vendvotime në Veriun e Mitrovicës dhe balotazhi i 1 dhjetorit kanë qenë në fokus të takimit që ka realizuar sot Presidentja Atifete Jahjaga me Drejtorin e Polcisë, Shpend Maxhuni.
Jahjaga dhe Maxhuni kanë biseduar për procesin zgjedhor që zhvillohet në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, më 17 Nëntor, si dhe për gjithë procesin e balotazhit që mbahet në disa komuna të Kosovës më 1 Dhjetor.
“Presidentja Jahjaga theksoi se siguria dhe garantimi i të drejtës së votës së lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe me theks të posaçëm për qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në veri të territorit të Republikës së Kosovës, është thelbësore”, njofton Zyra për Informim e Presidencës.
“Jahjaga tha se beson në një proces të qetë të rivotimit në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës dhe theksoi domosdoshmërinë e garantimit të sigurisë për të gjithë votuesit që marrin pjesë në zgjedhje”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, e ka njoftuar Presidenten Jahjaga për të gjitha përgatitjet dhe koordinimin që ka bërë Policia e Kosovës me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë për garantimin e një procesi të rregullt e të sigurt zgjedhor në rivotimin që mbahet më 17 Nëntor në qendrat e votimit në veri të Mitrovicës.