Analistët në Shqipëri e bëjnë për “pesë pare” Sali Berishën, e demantojnë për vrasjen e Ali Ukajt

Mbrëmë në “Top Channel”, në emisionin “Top Story”, janë transmetuar fakte të cilat dëshmojnë të pavërtetat që ditë më parë ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i kishte thënë lidhur me vrasjen makabre të gazetarit Ali Ukaj.

Lajme

30/05/2019 10:19

Sali Berisha në një intervistë në “Opinion” kishte implikuar Thaçin në masakrimin deri në vdekje të gazetarit kosovar, Ali Ukaj, në korrik të vitit 1997 në Tiranë.

Analistë të ndryshëm nga Shqipëria kanë demantuar këto pohime, derisa emisioni “Top Story” ka sjellë fakte që kundërshtojnë pohimet e Berishës.

“E bën lidhjen me këtë varje, po pa dhënë detaje të tjera se çfarë ka, se nuk dimë një detaj tjetër. Përse i lidh këto dy gjëra bashkë? Nuk e tha këtë Zoti Berisha”, tha Mirela Milori, gazetare.

Derisa Mentor Kikia tregon se Thaçi është ndaluar nga policia e Shqipërisë për armëmbajtje pa leje 10 orë përpara se të ndodhte kjo vrasje.

“Dihet se ai (Thaçi) është ndaluar pak orë para vrasjes Ukës për armëmbajtje pa leje”, tha Mentor Kikia, gazetar.

Sipas të dhënave që disponon Top Story, nga procesverbali i policisë në atë kohë, në dëshminë e dhënë përballë oficerit Pashkë Tusha në komisariatin nr. 1, Thaçi ka deklaruar se armët që posedon janë për luftëtarët e UÇK.

Ai është mbajtur mbi 24 orë në qeli dhe më pas u lirua me urdhrin për të lënë territorin e vendit.

Deri në momentin kur ka dalë jashtë kufijve, Thaçi është përcjellë nga efektivë të SHISH-it, njëri prej të cilëve sot është këshilltar i presidentit Ilir Meta.

Por, deklarata më e fortë e Berishës në emision ishin akuzat për Thaçin, të cilin e konsideron argat të Serbisë, por pa paraqitur një provë konkrete.

“Që të konsiderohet zoti Thaçi në atë mënyrë, nga zoti Berisha e tejkalon edhe sensin e masës. Nuk i gjej asnjë shpjegim përveç atij që për lojëra të vogla pushteti ne trazojmë gjëra shumë herë më të mëdha se edhe vetë individët me apo pa pushtet”, tha Lorenc Vangjeli.

Në grupin e atyre që i cilëson si argatë apo shërbëtorë të politikave të Serbisë, Sali Berisha liston edhe pasardhësin e tij Edi Ramën.

“Fjala e një politikani me këtë peshë duhet të ishte vetë prova, vetë burimi i provës, konfirmimi i faktit, por fjala këtu është keqpërdorur aq shumë sa nuk do të habitesha që në atë moment zoti Berisha ose një si vëllai i tij, do të thoshte se në atë darkë pinë edhe uiski dhe kishin 7 balerina ekzotike dhe njëra prej tyre kishte këmbën e vrarë”, tha Lorenc Vangjeli, gazetar.