Ambasada amerikane për vizitën e dy kongresistëve: Angazhime produktive që ofruan pasqyrë të dinamikës aktuale në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është deklaruar në lidhje me vizitën e dy kongresistëve amerikan në Kosovë. Nga ambasada u tha se delegacioni i Kongresi Amerikan me përfaqësuesit: Keith Self dhe Suhas Subramanyam kanë përfunduar vizitën në Kosovë, pas një sërë angazhimesh produktive që ofruan një pasqyrë të vlefshme e të drejtpërdrejtë mbi…

Lajme

28/05/2026 12:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është deklaruar në lidhje me vizitën e dy kongresistëve amerikan në Kosovë.

Nga ambasada u tha se delegacioni i Kongresi Amerikan me përfaqësuesit: Keith Self dhe Suhas Subramanyam kanë përfunduar vizitën në Kosovë, pas një sërë angazhimesh produktive që ofruan një pasqyrë të vlefshme e të drejtpërdrejtë mbi dinamikën aktuale.

Po ashtu nga ambasada u tha se kjo vizitë theksoi rëndësinë e një partneriteti konstruktiv SHBA-Kosovë, transmeton lajmi.net.

Ambasada ka bashkëngjitur edhe fotografi të shumta nga takimet që u zhvilluan në mes politikanëve e udhëheqësve në Kosovë.

Ndryshe anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe siguria në rajon ishin temat kyç të takimeve mes krerëve shtetërorë të Kosovës me delegacionin nga Kongresi amerikan.

Kongresistët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokratin Suhas Subramanyam, zhvilluan takime të ndara me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ministrin e Jashtëm në detyrë Glauk Konjufca dhe zyrtarë të tjerë.

Kosova synon të anëtarësohet në aleancën ushtarake perëndimore, por ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare për anëtarësim, teksa mosnjohja nga katër shtete të NATO-s (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) vlerësohet pengesë drejt anëtarësimit në aleancë.

Vendi aktualisht është në proces të shndërrimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, proces që pritet të zgjasë deri më 2028.

Pranimi i një anëtari në NATO kërkon mbështetje unanime, prandaj edhe rezoluta e paraqitur nga kongresistët i kërkon Uashingtonit t’i nxisë këto katër vende anëtare ta njohin shtetin e Kosovës.

Self dhe Subramanyam arritën në Kosovë pasditen e 26 majit, pasi qëndruan në Luginë të Preshevës ku u takuan me zyrtarë të ndryshëm shqiptarë në jug të Serbisë.

Self tha se pasi mësuan për problemet reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, vizita në Kosovë zhvillohet për të “mësuar për pakicën serbe atje”. “Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve në Luginë të Preshevës.

Para se të qëndronin në Luginë të Preshevës – term që përdoret për tri komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku jetojnë shqiptarë – kongresistët zhvilluan takime në Bosnje dhe Hercegovinë./Lajmi.net/