Sot nis fushata: PDK e VV e mbajnë tubimin e parë në Ferizaj, LDK në Prishtinë dhe Aleanca në Gjakovë

Nga sot e deri më 7 qershor, 1 minutë para se të hapen kutitë e votimit, partitë politike dhe kandidatët për deputetë do të kërkojnë votën nga qytetarët. Ndonëse takimet e tyre me qytetarë kanë filluar tash e sa kohë, tanimë edhe zyrtarisht ka filluar fushata politike. Këtë fushatë, partitë politike përveç VV-së do ta…

Lajme

28/05/2026 11:01

Nga sot e deri më 7 qershor, 1 minutë para se të hapen kutitë e votimit, partitë politike dhe kandidatët për deputetë do të kërkojnë votën nga qytetarët.

Ndonëse takimet e tyre me qytetarë kanë filluar tash e sa kohë, tanimë edhe zyrtarisht ka filluar fushata politike.

Këtë fushatë, partitë politike përveç VV-së do ta nisin në Komunat ku kanë fituar në zgjedhjet lokale dhe ku tashmë i udhëheqin ato.

PDK dhe VV do ta mbajnë tubimin e parë politik në Ferizaj, komunë që udhëhiqet nga Agim Aliu i PDK-së, LDK do ta bëj hapjen e fushatës në Prishtinë, komunë që udhëhiqet nga Përparim Rama që vjen nga kjo parti, dhe Aleanca do ta bëj hapjen e fushatës në Gjakovë, komunë që udhëhiqet nga vetë Ardian Gjini e që është edhe kandidat për kryeministër.

Takimi i PDK-së në Ferizaj do të filloj nga ora 20:00 dhe do të mbahet tek sheshi para Komunës, sipas njoftimit që ka publikuar kandidati për kryeministër nga kjo parti Bedri Hamza.

“Nga Ferizaj nisim rrugëtimin për ta ndryshuar Kosovën! Shumë të dashur aktivistë, struktura dhe qytetarë të Kosovës, Të enjten, nga ora 20:00, ju ftoj të gjithëve në hapjen e fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës në qytetin e bukur të Ferizajt. Jemi bashkë, me energji, besim dhe dashuri për atdheun tonë. Dhe jemi të vendosur që t’i themi STOP krizës dhe, bashkë me secilin prej jush, ta ndryshojmë Kosovën. Ju mirëpres!”, ka shkruar Hamza.

Lëvizja Vetëvendosje që e nis gjithashtu fushatën në Ferizaj, takimin me qytetarë do ta zhvilloj nga ora 19:30 në sallën e sporteve “Bill Clinton”.

Në lidhje me këtë ka njoftuar kandidati për deputet i VV-së, Dimal Basha, njëherit edhe ministër në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit.

“Kryeministri Kurti ka vendos që hapjen e fushatës me nis në shehrin e bukur t’Ferizajit. Ferizajli, po e fillojmë me këmbë t’mbarë!

👉 VENDI: Salla e Sporteve “Bill Clinton.”

👉 ORA: 19:30

👉 DITA: E enjte

👉 DATA: 28 maj”, ka shkruar Basha.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se tubimi i tyre i parë elektoral do të mbahet nga ora 18:00 në sallën “1 tetori” në Prishtinë.

“Sot, nga ora 18:00 ju presim në tubimin e madh elektoral të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këtë tubim, do të bëhet zyrtarisht hapja e fushatës si dhe prezantimi i kandidatëve për deputetë. Shihemi sot, në sallën 1 tetori në Prishtinë. Bashkohu!”, ka njoftuar LDK.

Aleanca do ta nis fushatën në Gjakovë, nga ora 19:45 në Platonë e Parkut të Qytetit.

Lajmin për lajmi.net e ka konfirmuar kandidati për kryeministër i kësaj partie, Ardian Gjini.

“Të dashur qytetarë, Ju ftoj që sonte të na bashkoheni në tubimin hapës të fushatës, në Gjakovë. Ju mirëpresim të gjithëve, nga ora 19:45 në Platonë e Parkut të Qytetit. Për më shumë siguri, energji e zhvillim. Shihemi sonte!”, ka shkruar Gjini.

Zgjedhjet në vend do të mbahen më 7 qershor, ndërsa në garë do të jenë VV, PDK, LDK, Aleanca dhe PSD.

Këto zgjedhje kanë ardhur pas dështimit të VV-së për të zgjedhur Presidentin, nga rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit. /Lajmi.net/