Albright: Kosovës nuk mund t’i thuhet bëni të gjitha vet

Ish-sekretarja e shtetit amerikan, Medeleine Albright në një konferencë dyditore në kuadër të Javës së Gruas, ku po merr pjesë edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, ka theksuar nevojën që gratë të jenë pjesëmarrëse në procese të rëndësishme politike.

Lajme

15/12/2020 18:52

Ajo ka thënë se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut, si dhe është humbje e burimeve njerëzore nëse ato nuk aktivizohen në procese të tilla, shkruan lajmi.net.

“Është shumë i rëndësishëm roli i qeverive demokratike dhe roli i grave në demokraci. Të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut. Gratë janë gjysma e popullsisë në çdo vend dhe është humbje e burimeve njerëzore në qoftëse ato nuk janë pjesë e udhëheqësisë”, ka thënë Albright.

Albright gjithashtu foli për Kosovën, përderisa kujtoi vizitën e saj të fundit këtu.

“Kosova ka një rol të rëndësishëm në Ballkan dhe jam krenare për zhvillimet e deritanishme këtu… Demokracia është e vështirë, është gjithmonë një udhëtim, duhet vazhdimisht të punohet dhe ka nevojë për pjesëmarrjen e të gjithëve dhe respektin e ndërsjellë. Kosovës nuk mund t’i thuhet bëni të gjitha vetë. Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku. Jam shumë krenare me gjërat që kanë ndodhur në Kosovë dhe ende ka punë për t’u bërë, ashtu siç ndodh në shumë demokraci”, tha ajo.

Ndërsa Atifete Jahjaga theksoi se kemi nevojë për më shumë gra në pozita udhëheqëse dhe se duhet të punohet për përfshirjen e grave dhe grupeve të margjinalizuara. /Lajmi.net/