Albin Kurti: “Askush s’e sfidon shtetin” – VS Albin Kurti: “Unë guxoj t’ju them s’po vij – ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke komentuar incidentin e ndodhur në Skenderaj ku u përfshinë Sami Lushtaku dhe Hysni Mehani, paralajmëroi Prokurorinë dhe Gjykatën se ‘do ta shohë’ se çfarë ndëshkimesh do të kërkohen dhe do të shqiptohen. Ai rikujtoi se ndaj aktivistëve të VV-së janë shqiptuar dënime me burgim vetëm për postime në Facebook,…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke komentuar incidentin e ndodhur në Skenderaj ku u përfshinë Sami Lushtaku dhe Hysni Mehani, paralajmëroi Prokurorinë dhe Gjykatën se ‘do ta shohë’ se çfarë ndëshkimesh do të kërkohen dhe do të shqiptohen.
Ai rikujtoi se ndaj aktivistëve të VV-së janë shqiptuar dënime me burgim vetëm për postime në Facebook, raporton lajmi.net
Sipas Kurtit, nuk mund të ketë as persona e as grupe që e sfidojnë me sukses shtetin, sepse shteti është tërësia e ligjit.
“Në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup që sfidon suksesshëm shtetin, e shteti është tërësia e ligjit. Ligji i drejtë na bën bashkë si shoqëri, e jo si dikur që na ndante në të pambrojtur dhe të paprekshëm”, u shpreh Kurti.
“Në Republikën e Kosovës s’mund të ketë asnjë individ, asnjë grup që sfidon suksesshëm shtetin. Shteti është tërësia e ligjeve. Ligji i drejt i Republikës na bën bashkë si shoqëri, se na barazon para tij, e jo si dikur që na ndante në të pambrojtur dhe të paprekshëm. Në lokalin në Skenderaj, ku është rrahur e përgjakur zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Hysni Mehani, njëkohësisht edhe kryetari i qendrës së VV-së atje, njëkohësisht edhe kandidat për deputet, ka kamera dhe ka shumë dëshmitarë. Me që mora vesh dy persona janë arrestuar. Në përshtypjen time, reagimi i Policisë dhe Prokurorisë ka qenë i vonuar. Nuk e di se çka ka ndodhur në orët e pasmesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë shumë më i shpejtë. Ju e dini që aktivistat e VV-së për statuse në Facebook janë dënuar me nga 1 vit e gjysmë burg. Ta shohim tash Prokuroria për ata që marrin gotë dhe përgjakin zëvendësministrat çfarë ndëshkimi do të kërkoj dhe çfarë dënimi do të jap gjyqësori”, tha ai sot.
Megjithatë, deklaratat e Kurtit dalin kontradiktore nga ajo që ka thënë në të kaluarën, konkretisht në vitin 2024, ku kishte refuzuar t’u përgjigjej ftesave të Prokurorisë Speciale për të dëshmuar lidhur me skandalin e rezervave shtetërore.
“Unë i kam ftuar me ardhë, ata po tutën dhe unë u thash: Unë guxoj t’ju them: s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë. Edhe shumë interesant, nuk ka as ftesë mo as kurrgjë, kjo tregon se ka qenë politike”, thoshte Kurti, qëndrim ky që atë kohë ishte interpretuar si sfidim i institucioneve të drejtësisë.
Kurti ka akuzuar atë kohë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufajn, se ai përpiqet që me intervistimin e kryeministrit për një rast korrupsioni, “të prodhohet lajm ndërkombëtar”.
Kryeministri i Kosovës, rastin e tij e kishte përngjasuar me arrestimin e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, i cili ishte arrestuar për shpërdorim të detyrës në vitin 2010, duke theksuar: “Aty nuk duhet si dëshmitar, ky është qëllimi. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme po më të butë se s’munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin, që e nxorën duarlidhur prej BQK-së”./Lajmi.net/