Akuzat kundër Ukë Rugovës dhe grupit të tij

Deputeti Ukë Rugova besohet të ketë udhëhequr një grup kriminal, i cili në mënyrë të paligjshme siguronte viza Shengen të Italisë dhe i shiste ato për “klientët” e tyre prej 2700 deri 3500 euro. Sipas Prokurorisë, Rugova paraqet rrezik për ikje.

Lajme

06/02/2014 08:26

Deputeti Ukë Rugova u arrestua dje nga policia e EULEX’it si i dyshuar për krim të organizuar. Ai dyshohet që së bashku me disa persona të tjerë të kenë shitur viza Shengen të Italisë.

Ukë Rugova dhe pjesëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal dyshohen për këto vepra penale: krim i organizuar, mashtrim, ushtrim i ndikimit dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit.

“Pjesëtarët e grupit kriminal dyshohen për veprat penale: Krim i organizuar, vepër e dënueshme me gjobë deri në 500 mijë euro dhe burgim prej së paku 10 vite, vepër penale të mashtrimit që është vepër e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në 10 vjet, vepër penale të ushtrimit të ndikimit që gjithashtu është vepër e dënueshme me gjobë apo burgim deri në 8 vite dhe vepër penale e keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo autorizimit e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet”- shkruan sot përditshmja “Zëri”.

Në shkresat e lëndës të siguruara nga “Zëri”, besohet se ekziston mundësia që Ukë Rugova mund të dënohet për këto vepra. Madje, dyshohet se ai mund të ikë jashtë vendit.

“Ekzistojnë baza të artikulueshme për të besuar se Ukë Rugova paraqet rrezik për ikje. Provat kundër tij janë të fuqishme dhe ka shumë të ngjarë edhe të dënohet. Ai është njeri i pasur dhe ka ndikim në shoqërinë e Kosovës dhe lehtë mund të ikë nga juridiksioni i Kosovës nëse ai dëshiron të bëjë këtë gjë”, thuhet në flet arrestin e lëshuar për Ukë Rugovën.

Ukë Rugova besohet të ketë udhëhequr këtë grup kriminal, i cili në mënyrë të paligjshme siguronte viza Shengen të Italisë dhe i shiste ato për “klientët” e tyre prej 2700 deri 3500 euro.

“Ukë Rugova dyshohet për drejtimin e grupit të organizuar kriminal i cili ofron viza Shengen të Italisë të siguruara në mënyrë mashtruese prej ambasadës së Italisë në Prishtinë”.

“Grupi prodhojnë dokumente të falsifikuara për t’i mbështetur aplikacionet për viza Shengen që dorëzohen në ambasadën e Italisë për klientët e tyre dhe e përdorin ndikimin e tyre brenda ambasadës së Italisë për të siguruar që aplikacionet mashtruese të pranohen”.

“Grupi ofrojnë këto shërbime me qëllim të marrjes së përftimeve të paligjshme për veten e tyre duke kërkuar prej klientëve të tyre mes 2700 dhe 3500 euro për një vizë”- thuhet në shkresat e lëndës të siguruara nga “Zëri”.