Akullore me buburreca, vodka me merimanga dhe burger me karkaleca, ushqime luksoze nga e gjithë bota

Pas një shëtitjeje të gjatë nën diellin e fortë të Afrikës së Jugut një akullore nuk do ta refuzonte askush. Po nëse do t’ju thoshin që është bërë me “qumësht” buburrecash?

Lifestyle

19/01/2020 14:01

Një restorant i famshëm në Kejp Taun, “Gourmet Grubb”, ofron pikërisht këtë. Mundësinë për të ngrënë ushqime që në përbërjen e tyre kanë edhe insekte. Dhe për më tepër ky quhet ushqim luksoz, jo dosido. Akullorja bëhet me një lloj “qumështi” që realizohet pasi larvat e një insekti tropikal të quajtur “miza e zezë ushtar”.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka parashikuar se deri në vitin 2050 do të na duhet të dyfishojmë prodhimin e ushqimit për të ushqyer popullsinë gjithnjë e në rritje dhe ka mbështetur prej kohësh ngritjen e “fermave të insekteve” si një alternativë e qëndrueshme ndaj bagëtive si burim proteinash.

Akullorja në fjalë shërbehet me shije çokollate, kikiriku dhe erëzash dhe sipas prodhuesve të saj i “qumështi” i insektit i jep një shije tepër kremoze dhe të pasur, pa harruar vlerat ushqyese.

Momentalisht, restoranti e shpërndan këtë akullore vetëm në Afrikën e Jugut, por nuk është çudi që të “pushtojë” botën së shpejti. Sipas parashikimeve, tregu i insekteve për konsum si ushqim pritet të kapë vlerën e 1,2 miliardë dollarëve brenda vitit 2023.

“Gourmet Grubb” nuk është i vetmi restorant që shërben ushqime të tilla të veçante. Shfletoni galerinë e mësipërme për të parë disa gatime tepër të veçanta, si hamburger me karkaleca dhe krimba, ose vodka me merimanga.