Dosja e vrasjes së Arlinda Zekajt: Fotografimet, videot dhe pretendimet për mosndërhyrje gjatë sulmit – çfarë dyshohet se bëri ish-vjehrra e saj?

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur një sërë pretendimesh të rënda ndaj Nurije Sylajt, ish-vjehrrës së Arlinda Zekajt, në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit lidhur me vrasjen e 25 tetorit 2026 në Vitomiricë të Pejës. Sipas dosjes së Prokurorisë, Nurije Sylaj dyshohet se ka pasur rol në përcjelljen e lëvizjeve të viktimës dhe…

Lajme

24/11/2026 20:28

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur një sërë pretendimesh të rënda ndaj Nurije Sylajt, ish-vjehrrës së Arlinda Zekajt, në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit lidhur me vrasjen e 25 tetorit 2026 në Vitomiricë të Pejës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Nurije Sylaj dyshohet se ka pasur rol në përcjelljen e lëvizjeve të viktimës dhe në lehtësimin e planit të dyshuar për vrasjen e saj.

Në mesin e veprimeve që Prokuroria ia atribuon asaj është fotografimi dhe incizimi i vazhdueshëm i Arlinda Zekajt, që nga 22 tetori 2026, kur viktima ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare.

Fotografitë dhe videot, sipas Prokurorisë, janë ruajtur në telefonin e saj, ndërsa në të njëjtën pajisje është gjetur edhe një video e dërguar nga Driton Sylaj përmes WhatsApp-it, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet.

Prokuroria dyshon se këto materiale janë përdorur për përcjelljen dhe shkëmbimin e informacioneve lidhur me vendndodhjen dhe lëvizjet e viktimës.

Një tjetër pretendim i rëndë ka të bëjë me ditën e vrasjes. Sipas dosjes, Nurije Sylaj ka qenë e pranishme në shtëpi, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj e sulmoi Arlinda Zekajn me sëpatë.

Prokuroria pretendon se ajo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta parandaluar apo ndërprerë sulmin.

Po ashtu, sipas organit të akuzës, pas vrasjes ajo dyshohet se ka dhënë deklaratë me qëllim të devijimit të hetimeve, duke pretenduar se Arlinda e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhe se vetë kishte qenë pa ndjenja. Këto pretendime, sipas Prokurorisë, nuk përputhen me pamjet e kamerave të sigurisë.

Në dosje përmenden edhe komunikimet e saj me Driton Sylajn, ku Prokuroria pretendon se shqetësimi i tyre kryesor ishte mundësia e zbulimit të bashkëpunimit dhe përfshirjes në rast.

Gjithashtu, organi i akuzës ka përmendur komunikime kërcënuese dhe presion ndaj dëshmitares A.S. dhe një të miture, duke i konsideruar këto si rrethana që mund të ndikojnë në dëshmitarët dhe rrjedhën e procedurës.

Për këto arsye, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nurije Sylajt.

Megjithatë, të gjitha këto janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura në fazën e hetimeve dhe duhet të vlerësohen nga gjykata. Përgjegjësia penale e të dyshuarës do të përcaktohet me vendim gjyqësor. /Lajmi.net/