Mbi 1.3 miliardë euro jashtë Kosovës| Zbulohet ku po i investojnë kosovarët paratë dhe cili shtet po përfiton më së shumti!
Kosovarët kanë investuar mbi 1.3 miliardë euro jashtë vendit në periudhën nga 1 janari 2020 deri më 30 qershor 2026. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve është orientuar në blerjen dhe aktivitetet në patundshmëri, ndërsa një shumë e konsiderueshme është investuar edhe nga bizneset kosovare në tregjet e huaja. Të dhënat janë bërë të…
Lajme
Kosovarët kanë investuar mbi 1.3 miliardë euro jashtë vendit në periudhën nga 1 janari 2020 deri më 30 qershor 2026. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve është orientuar në blerjen dhe aktivitetet në patundshmëri, ndërsa një shumë e konsiderueshme është investuar edhe nga bizneset kosovare në tregjet e huaja.
Të dhënat janë bërë të ditura nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në përgjigjet e dhëna për lajmi.net, lidhur me investimet direkte të bizneseve dhe individëve rezidentë të Kosovës jashtë vendit.
Sipas BQK-së, gjatë kësaj periudhe vlera totale e investimeve direkte jashtë Kosovës ka arritur në 1,304.66 milionë euro. Nga kjo shumë, 961.94 milionë euro janë investime në aktivitete të patundshmërisë, ndërsa 342.73 milionë euro i takojnë investimeve direkte të bizneseve kosovare.
Në përgjigjen e saj për lajmi.net, BQK-ja ka bërë të ditur se investimet jashtë vendit kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit.
“Gjatë periudhës 1 janar 2020-30 qershor 2026, vlera totale e investimeve direkte të realizuara jashtë Kosovës nga bizneset dhe individët rezidentë ka arritur në 1,304.66 milionë euro. Nga kjo shumë, 961.94 milionë euro i takojnë aktiviteteve në patundshmëri, ndërsa 342.73 milionë euro investimeve direkte të bizneseve”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Viti 2025, rekord për investimet kosovare jashtë vendit
Të dhënat e BQK-së tregojnë se viti 2025 ishte periudha kur kosovarët regjistruan vlerën më të lartë të investimeve jashtë vendit.
Vetëm gjatë këtij viti, investimet totale arritën në 368.27 milionë euro. Prej tyre, 240.28 milionë euro ishin investime në patundshmëri, ndërsa 127.99 milionë euro investime direkte të bizneseve.
Krahasuar me vitin 2020, kur investimet totale jashtë Kosovës ishin 59.09 milionë euro, në vitin 2025 kjo vlerë ishte shumëfishuar.
BQK-ja, duke komentuar zhvillimin e investimeve gjatë kësaj periudhe, ka theksuar se rritja është nxitur kryesisht nga aktiviteti në patundshmëri dhe zgjerimi i bizneseve kosovare në tregjet e huaja.
“Rritja e investimeve direkte nga Kosova jashtë vendit gjatë periudhës 2020-2025 është nxitur kryesisht nga investimet në patundshmëri, të cilat u rritën nga 39.93 milionë euro në vitin 2020 në 240.28 milionë euro në vitin 2025, si dhe nga zgjerimi i aktivitetit të bizneseve kosovare jashtë vendit si investitor, që paraqet një zhvillim të ri dhe domethënës në aktivitetin investues të bizneseve kosovare”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Investimet direkte jashtë Kosovës sipas viteve (në milionë euro)
|
Viti |
Bizneset |
Patundshmëritë |
Totali |
|---|---|---|---|
|
2020 |
19.16 |
39.93 |
59.09 |
|
2021 |
10.70 |
89.60 |
100.30 |
|
2022 |
55.14 |
120.02 |
175.15 |
|
2023 |
34.83 |
155.14 |
189.97 |
|
2024 |
37.26 |
187.03 |
224.29 |
|
2025 |
127.99 |
240.28 |
368.27 |
|
Qershor 2026 |
57.65 |
129.94 |
187.59 |
Burimi: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Të dhënat për vitin 2026 përfshijnë periudhën deri më 30 qershor.
Rreth 335 biznese kosovare investuan jashtë vendit
Përveç investimeve në patundshmëri, një zhvillim tjetër që vërehet nga të dhënat e BQK-së është zgjerimi i bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Sipas institucionit, nga viti 2020 deri në gusht të vitit 2026, rreth 335 biznese kosovare kanë regjistruar investime direkte jashtë vendit.
BQK-ja ka theksuar se këto ndërmarrje kanë zgjeruar praninë e tyre në tregjet e huaja, duke ruajtur aktivitetin bazë dhe selinë kryesore të operacioneve në Kosovë.
“Në bazë të të dhënave të evidentuara nga BQK, nga viti 2020 deri në gusht 2026, rreth 335 biznese kosovare kanë regjistruar investime direkte jashtë vendit. Ky zgjerim ka vazhduar me shtrirjen e pranisë së ndërmarrjeve kosovare në tregjet e huaja, ndërkohë që aktiviteti bazë dhe selia kryesore e operacioneve të tyre kanë mbetur në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Kjo tregon se investimet jashtë vendit nuk janë kufizuar vetëm në blerjen e pronave, por një pjesë e kapitalit të bizneseve kosovare po përdoret edhe për zgjerimin e aktiviteteve ekonomike në shtete të tjera.
Shqipëria prin si destinacion i investimeve të bizneseve kosovare
Sa u përket vendeve ku janë orientuar investimet e bizneseve kosovare, Shqipëria prin bindshëm në listën e shteteve kryesore.
Sipas të dhënave të BQK-së, nga gjithsej 342.7 milionë euro investime direkte të bizneseve kosovare jashtë vendit gjatë periudhës 2020-qershor 2026, rreth 125 milionë euro janë orientuar në Shqipëri.
Kjo përfaqëson rreth 36.5 për qind të investimeve totale të bizneseve kosovare jashtë vendit.
Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 42.1 milionë euro, ndërsa Gjermania me 33 milionë euro dhe Zvicra me 32.9 milionë euro.
Në mesin e vendeve kryesore ku bizneset kosovare kanë investuar janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 25.6 milionë euro dhe Kroacia me 24.1 milionë euro.
Destinacionet kryesore të investimeve të bizneseve kosovare si më poshtë:
|
Shteti |
Investimet |
|---|---|
|
Shqipëria |
125 milionë € |
|
Maqedonia e Veriut |
42.1 milionë € |
|
Gjermania |
33 milionë € |
|
Zvicra |
32.9 milionë € |
|
SHBA-ja |
25.6 milionë € |
|
Kroacia |
24.1 milionë € |
|
Shtete të tjera |
60 milionë € |
BQK-ja ka vlerësuar se këto investime pasqyrojnë orientimin e bizneseve kosovare drejt vendeve të rajonit dhe tregjeve kryesore evropiane.
“Këto gjashtë shtete së bashku përthithën pjesën më të madhe të investimeve të ndërmarrjeve kosovare jashtë vendit, duke reflektuar orientimin drejt vendeve të rajonit dhe tregjeve kryesore evropiane”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
Tregtia, ndërtimtaria dhe prodhimi, sektorët ku investuan bizneset kosovare
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i të dhënave të BQK-së është shpërndarja e investimeve sipas sektorëve ekonomikë.
Gjatë periudhës 2020-qershor 2026, bizneset kosovare kanë investuar më së shumti në tregtinë me shumicë dhe pakicë, ndërtimtari dhe prodhim.
Sipas të dhënave, tregtia me shumicë dhe pakicë prin me 76.9 milionë euro, e ndjekur nga ndërtimtaria me 56.2 milionë euro dhe prodhimi me 52.1 milionë euro.
Në sektorin e informacionit dhe komunikimit janë regjistruar 8.8 milionë euro investime, ndërsa 148.7 milionë euro janë evidentuar në kategorinë e aktiviteteve të paspecifikuara.
Investimet sipas sektorëve ekonomikë
|
Sektori |
Vlera |
|---|---|
|
Tregti me shumicë dhe pakicë |
76.9 milionë € |
|
Ndërtimtari |
56.2 milionë € |
|
Prodhim |
52.1 milionë € |
|
Informacion dhe komunikim |
8.8 milionë € |
|
Aktivitete të paspecifikuara |
148.7 milionë € |
BQK-ja ka theksuar se investimet janë përqendruar kryesisht në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit.
“Investimet janë përqendruar kryesisht në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, që lidhen me zgjerimin e aktivitetit të bizneseve kosovare në rajon dhe më gjerë”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Mbi 129 milionë euro investime në patundshmëri vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2026
Të dhënat tregojnë se edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, investimet e kosovarëve jashtë vendit kanë vazhduar të jenë në nivel të lartë.
Vetëm nga janari deri në fund të qershorit 2026, investimet totale jashtë Kosovës arritën në 187.59 milionë euro.
Nga kjo shumë, 129.94 milionë euro ishin investime në patundshmëri, ndërsa 57.65 milionë euro investime direkte të bizneseve.
Kjo tregon se blerja dhe investimi në prona të paluajtshme jashtë Kosovës vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të kapitalit të investuar nga rezidentët kosovarë në tregjet e huaja.
BQK-ja ka sqaruar se investimet në patundshmëri përfshijnë si investimet e individëve rezidentë të Kosovës në prona të paluajtshme jashtë vendit, ashtu edhe ato të bizneseve kosovare në këtë sektor.
“Investimet në patundshmëri përfaqësojnë edhe investime të individëve rezidentë të Kosovës në prona të paluajtshme jashtë vendit, krahas atyre të bizneseve kosovare që kanë investuar në patundshmëri”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
BQK-ja sqaron mënyrën e përllogaritjes së investimeve
Në përgjigjet e saj për lajmi.net, Banka Qendrore ka sqaruar edhe metodologjinë e përpilimit të statistikave për investimet direkte të Kosovës jashtë vendit.
Sipas institucionit, këto statistika përgatiten në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Statistikat e investimeve direkte të Kosovës jashtë vendit përpilohen nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Sipas bankës, hyrjet e investimeve të huaja direkte në Kosovë dominohen gjithashtu në masë të madhe nga sektori i patundshmërive, kryesisht përmes investimeve të diasporës.
Megjithatë, institucioni vëren edhe një zhvillim tjetër në ekonominë kosovare: zgjerimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare, me investime që tashmë përfshijnë sektorë të ndryshëm, nga tregtia e ndërtimtaria deri te prodhimi.
Ndërkaq të dhënat e BQK-së për periudhën 2020-qershor 2026 tregojnë se kapitali i bizneseve dhe individëve rezidentë të Kosovës po vazhdon të investohet jashtë vendit, me Shqipërinë si destinacionin kryesor. /Lajmi.net/