“Aktivizoni verifikimin me dy hapa” Problemet me llogaritë në WhatsApp, Njësia për Siguri Kibernetike rekomandon marrjen e këtyre masave
Njësia nacionale për Siguri Kibernetike e Kosovës (KOS-CERT) ka njoftuar se është duke i trajtuar rastet që janë raportuar gjatë ditëve të fundit lidhur me kompromentimin e llogarive në aplikacionin WhatsApp. Në koordinim me institucionet përgjegjëse shtetërore dhe në bashkëpunim me operatorët e telefonisë mobile dhe partnerët ndërkombëtarë, KOS-CERT ka deklaruar se është në kontakt…
Lajme
Njësia nacionale për Siguri Kibernetike e Kosovës (KOS-CERT) ka njoftuar se është duke i trajtuar rastet që janë raportuar gjatë ditëve të fundit lidhur me kompromentimin e llogarive në aplikacionin WhatsApp.
Në koordinim me institucionet përgjegjëse shtetërore dhe në bashkëpunim me operatorët e telefonisë mobile dhe partnerët ndërkombëtarë, KOS-CERT ka deklaruar se është në kontakt me kompaninë Meta për të analizuar rastet e raportuara e për të identifikuar mënyrat dhe mekanizmat e përdorur.
Deri në përfundimin e analizave, KOS-CERT u ka rekomanduar qytetarëve kujdes të shtuar dhe zbatimin e këtyre masave të sigurisë:
• Mos e ndani me askënd kodin e verifikimit të WhatsApp (OTP) të pranuar përmes SMS-it apo kanaleve të tjera.
• Aktivizoni verifikimin me dy hapa (Two-Step Verification) në llogarinë tuaj WhatsApp.
• Kontrolloni pajisjet e lidhura (Linked Devices) me llogarinë tuaj. Nëse identifikoni një pajisje që nuk e njihni ose nuk e keni autorizuar, shkëputeni menjëherë.
• Mos klikoni në vegëza të dyshimta të pranuara përmes SMS-it, email-it, WhatsApp-it apo platformave të tjera, veçanërisht kur kërkohet verifikimi i llogarisë ose dhënia e të dhënave personale.
• Kushtojini vëmendje njoftimeve për regjistrimin e llogarisë në një pajisje tjetër. Nëse pranoni një kod ose njoftim për një tentativë regjistrimi që nuk është iniciuar nga ju, mos e ndani kodin dhe mos e autorizoni kërkesën.
• Mbroni edhe adresën e email-it të lidhur me llogarinë, duke përdorur një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë (MFA), kur kjo mundësi ofrohet.
• Mos ndani fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna personale, edhe kur kërkesa duket se vjen nga një kontakt i njohur. Llogaria e personit që ju kontakton mund të jetë gjithashtu e komprometuar.
Në njoftim thuhet se nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, përdorni vetëm mekanizmat dhe kanalet zyrtare të WhatsApp për rikuperimin e llogarisë dhe raportoni incidentin tek KOS-CERT.
“KOS-CERT do të vazhdojë monitorimin dhe analizimin e situatës, si dhe koordinimin me institucionet tjera, operatorët dhe partnerët relevantë, me qëllim të sqarimit të plotë të rasteve dhe ndërmarrjes së masave të nevojshme.”