Rama: Është e papranueshme ndalimi i muralit për Nënë Terezën, po pengohet në mënyrë joligjore

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me ndalimin e vendosjes së muralit për Nënë Terezën, i cili ishte planifikuar të realizohej sot në kryeqytet. Në një konferencë për media, Rama ka deklaruar se projekti ka marrë lejen nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe ka kaluar të gjitha fazat ligjore, duke kundërshtuar…

Lajme

28/11/2026 09:45

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me ndalimin e vendosjes së muralit për Nënë Terezën, i cili ishte planifikuar të realizohej sot në kryeqytet.

Në një konferencë për media, Rama ka deklaruar se projekti ka marrë lejen nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe ka kaluar të gjitha fazat ligjore, duke kundërshtuar pengimin e realizimit të tij.

“Kjo është e papranueshme, është e patolerueshme. Pra kemi një proces diktatorial të kësaj qeverie që e kemi parë tash e sa vite bllokon rregullisht projektet e kryeqytetit”, ka deklaruar Rama.

Ai ka përmendur disa projekte të tjera të kryeqytetit, për të cilat ka pretenduar se janë penguar, ndërsa ka ngritur pikëpyetje lidhur me urdhrat për ndalimin e muralit.

“Pra kush janë këta njerëz që lëshojnë urdhra kundër vullnetit të popullit, kundër vendimit të asamblesë, të cilët janë reprezentues të qytetarëve të kryeqytetit, të popullit tonë, e dikush nga lart qenka këtu që po jep urdhër me e ndal këtë projekt madhor për kryeqytetin”, ka thënë Rama.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka deklaruar se për vendosjen e muralit janë marrë pesë vendime zyrtare nga institucionet e nivelit lokal.

“Do t’ju prezantojë të gjitha faktet dhe dokumentet që janë plot pesë vendime zyrtare nga institucionet e nivelit lokal të cilat i kanë marrë të gjitha pëlqimet për vendosjen e këtij murali”, ka deklaruar Retkoceri.

Ai ka theksuar se Komuna e Prishtinës është institucioni përgjegjës për administrimin dhe dhënien e pëlqimeve për fasadat e objekteve në kryeqytet, në bazë të rregulloreve dhe legjislacionit në fuqi. /Lajmi.net/