Aktivizohet Gjergj Dedaj, lajme të mira për liberalizimin e vizave

Emigrimi ilegal po boshatisë Kosovën. Zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës, pretendojnë se ky fenomen mund të pengohej vetëm nëse BE heq vizat për kosovarët. E për këtë duket se vjen një lajm i mirë, pasi kryetari i PLK-së, Gjergj Dedaj, i ka kërkuar BE-së që urgjentisht të mblidhet për ta diskutuar këtë çështje. 

Lajme

06/02/2015 19:45

Në Kosovë pak kush e merr seriozisht kryetarin e Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj, por kështu duket të mos trajtohet edhe në BE. Edhe nëse kjo nuk qëndron, të paktën kështu pretendon vetë Dedaj, i cili me partinë e tij në zgjedhjet e viteve të fundit, nuk ka arritur të mbledh më shumë se disa qindra vota.   

Dedaj përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se ka takuar zëvendëskryeministrin, njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Belgjikës, Didier Reynders, nga i cili ka kërkuar një takim urgjent të ministrave të punëve të jashtme të BE-së, për të diskutuar çështjen e liberalizimit të vizave dhe ndaljen e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës. 

Në këtë takim, Dedaj me bashkëpunëtorë e ka njoftuar kryediplomatin e Belgjikës me zhvillimet politike në Kosove, me theks të veçantë me problemet me të cilat janë duke u  ballafaquar qytetarët e Kosovës, si papunësia, varfëria, dhe kriza ekonomike-sociale.  

Sipas Dedajt, këto probleme e kanë frustruar popullin e Kosovës, që kohëve të fundit ka filluar një migrim masiv ilegal, i cili sipas tij duhet të parandalohet në koordinim mes institucioneve vendore dhe atyre evropiane e ndërkombëtare. “Dedaj ka kërkuar të thirret një takim urgjent i ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së, por edhe i Parlamentit Evropian dhe i Këshillit të Evropës, për të diskutuar çështjen e liberalizimit të vizave dhe perspektivën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë parandalimin e migrimit ilegal të qytetarëve te Kosovës drejt vendeve të BE-së”, është thënë në një njoftim të lëshuar për medie nga PLK-ja. 

Ndërsa, kryediplomati i Belgjikës, Didier Reynders ka theksuar se ky shtet nuk do të ndalet në mbështetjen e reformave demokratike pluraliste në Kosovë por, sipas tij, duhet njëkohësisht edhe faktorët vendorë të bëjnë angazhimet e duhura në arritjen e reformave ligjore, demokratike dhe të ambicieve drejt integrimit dhe perspektivës evropiane të Kosovës. (lajmi.net)